“Futem 3 herë në ditë në strehimore”- Gazetari izraelit: Irani kërcënon të na zhdukë, ja si po na bombardon

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 00:19 | Bota

Gazetari izraelit, Lary Luxner, ka zbuluar situatën në Tel Aviv dhe qytete të tjera të vendit, pas bombardimeve të Iranit.

Në një intervistë për emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Luxner tha se Irani prej 45 vitesh me radhë kërcënon me shfarrosjen e popullit izraelit.

Gazetari shtoi gjithashtu se pas sulmeve të Iranit në Izrael, ai vetë futet 3 herë në ditë në strehimore, për t’i shpëtuar bombave.

“Situata është jashtëzakonisht e tensionuar. Kam qenë tre herë në vend-strehimin e bombave gjatë ditës së sotme. Edhe një orë para se ti bashkohesha programit tuaj. Bëra një ecje në Tel Aviv dhe pashë shkatërrimet që janë kryer nga sulmet e Iranit.

Ne kemi një sistem që na paralajmëron dhe na jep 10 minuta kohë që të shkojmë në strehimore. Kjo luftë që filloi në 7 tetor të vitit 2023 është lufta më e gjatë që ka ndodhur në vendin tonë.

Kjo shënon edhe herën e parë që kemi pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë me Iranin dhe mendoj se duhet të theksohet se ne asnjëherë nuk kemi pasur një problem me popullin e Iranit. Problemi ynë është me regjimin që na kërcënon dhe që na ka kërcënuar për 45 vitet e fundit se do të na fshijë nga harta”, tha gazetari izraelit Larry Luxner. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos