Kreu i inteligjencës së Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Kazemi, dhe zëvendësi i tij, janë vrarë në një sulm ajror të ndërmarrë nga Izraeli, raporton agjencia shtetërore iraniane Tasnim.
Sipas mediave të huaja, Kazemi drejtonte Organizatën e Inteligjencës së IRGC-së, një nga dy agjencitë kryesore të sigurisë kombëtare në Iran.
Pas viktimave të ditëve të mëparshme, vdekja e tij përbën një goditje të rëndë për strukturat e sigurisë iraniane.
Po ashtu bëhet e ditur se ky sulm është pjesë e një fushate më të gjerë të Izraelit që synon objektiva strategjikë iranianë, përfshirë baza ushtarake dhe figura kyçe të programit bërthamor.
Kujtojmë se deri më tani, Izraeli ka ekzekutuar edhe 14 shkencëtarë të përfshirë në projektet bërthamore të Iranit, shkruan A2 CNN.
Mes viktimave të përmendura janë emra të njohur si Fereydoon Abbasi (inxhinier bërthamor), Mohammad Mehdi Tehranchi (fizikant) dhe Ali Bakhouei Katirimi (inxhinier).
Po ashtu në sulmet e Izraelit në Iran, u vranë edhe disa figura kyçe ushtarake të vendit, raporton A2 CNN. (A2 Televizion)