Kur traktati për kontrollin e armëve bërthamore, New START, skadoi më 5 shkurt 2026, gjeopolitika hyri në një territor të pashkelur më parë. Me Rusinë dhe SHBA-në që zotërojnë rreth 90 për qind të armatimeve bërthamore globale, New START ishte e vetmja marrëveshje dypalëshe që kufizonte zgjerimin e arsenaleve të tyre.
Me synim transparencën dhe parashikueshmërinë, traktati e kufizonte secilin shtet në 1.550 koka bërthamore strategjike të dislokuara, ndërsa parashikonte inspektime të rregullta dhe shkëmbime të dhënash mes dy fuqive. Por planet për zgjatjen e marrëveshjes u penguan nga Shtetet e Bashkuara, me presidentin amerikan Donald Trump që kërkon një traktat të ri me përfshirjen e Kinës.
Edhe pse rivali kryesor ekonomik i SHBA-së, Kina qëndron ende shumë pas SHBA-së dhe Rusisë sa i përket fuqisë bërthamore, por ka modernizuar dhe zgjeruar ndjeshëm arsenalin vitet e fundit. Për të mbështetur thirrjen për negocimin e një ujdie të re trepalëshe, administrata Trump akuzoi drejtpërdrejt Pekinin se kishte zhvilluar një test të fshehtë bërthamor në vitin 2020. Pretendimet, të parashtruara gjatë një konference globale për çarmatimin, nxorën në pah tensione serioze mes Uashingtonit dhe Pekinit.
“Mund të zbuloj se qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni se Kina ka kryer teste bërthamore shpërthyese, përfshirë përgatitje për teste me fuqi në qindra tonë. Ushtria Çlirimtare Popullore ka kërkuar t’i fshehë këto teste duke maskuar natyrën e shpërthimeve, pasi ka kuptuar se ato shkelin angazhimet për ndalimin e testeve bërthamore”, tha Zëvendëssekretari për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, Thomas Dinanno.
Pekini i kundërshtoi ashpër këto akuza, duke i cilësuar si një narrativë të rreme dhe duke fajësuar SHBA-në për përkeqësimin e garës së armatimeve bërthamore. Presidenti Trump urdhëroi ushtrinë në tetor të rifillojë përgatitjet për testime bërthamore, duke këmbëngulur se edhe Rusia dhe Kina po veprojnë njësoj. Megjithatë, monitoruesit ndërkombëtarë theksojnë se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime.
Aktualisht, nëntë shtete zotërojnë rreth 12.300 koka bërthamore: SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut. Në vitin 2024, shpenzimet për arsenalet bërthamore kapën mbi 100 miliardë dollarë, 11% më shumë se një vit më parë, ku SHBA-ja kryeson me 56.8 miliardë dollarë. (A2 Televizion)