Ukraina dhe Rusia po shkojnë drejt një përplasjeje të madhe. Moska pretendon se 347 dronë të lëshuar nga Kievi u rrëzuan gjatë natës mbi rajonet ruse, Detin Kaspik, Detin e Zi dhe Detin Azov.
Agjencia e lajmeve Tass raportoi këtë, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Mediat shkruajnë se ka viktima dhe disa të plagosur, përfshirë fëmijë. Edhe Rusia ka sulmuar Ukrainën gjatë orëve të fundit me 102 dronë dhe disa raketa.
Shumica e tyre janë rrëzuar, por 8 dronë goditën 6 lokacione të ndryshme, pavarësisht se Kremlini thotë se armëpushimi 2 ditor është në zbatim. Rreziku nuk përfundon me kaq, pasi nga Moska zyrtare vjen një paralajmërim i fortë, kryesisht për misionet e huaja në Kiev, nëse Ukraina do të sulmojë Rusinë gjatë paradës në Ditën e Fitores, shkruan A2.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, tha: “Ministria e Jashtme Ruse u bën thirrje fuqimisht autoriteteve të vendit tuaj, udhëheqjes së organizatës suaj që ta trajtojnë këtë deklaratë me përgjegjësinë më të madhe dhe të sigurojnë evakuimin paraprak nga qyteti i Kievit të personelit të misioneve diplomatike dhe të tjera, si dhe qytetarëve, duke pasur parasysh pashmangshmërinë e një sulmi hakmarrës nga Forcat e Armatosura të Federatës Ruse kundër Kievit, përfshirë qendrat e vendimmarrjes, nëse regjimi i Kievit përpiqet të zbatojë planet e tij kriminale terroriste”.
Këtij kërcënimi, Presidenti ukrainas iu përgjigj me të njëjtën monedhë.
“Falënderoj çdo shtet dhe udhëheqës që mbështeti propozimin e Ukrainës për një armëpushim të plotë. Rusia është përgjigjur vetëm me sulme të ripërtërira, gjatë gjithë ditës, pothuajse çdo orë. Ukraina do të përgjigjet me të njëjtën monedhë”, njoftoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X, duke theksuar se “Parada e Moskës varet nga ai”. (A2 Televizion)