
Gjermania dhe Britania kanë mirëpritur vendimin e Damaskut për të njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Një ditë më parë, gjatë qëndrimit në Riad presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, e përgëzoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për këtë arritje.
“Më vjen mirë që e shoh këtë dinamikë të re. Gjermania gjithmonë e ka mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Për ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, njohja e Kosovës nga Siria shënon një “hap të rëndësishëm për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik”.
“Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar me krenari pranë Kosovës që nga dita e parë dhe vazhdojmë të inkurajomë të gjitha vendet që të bashkohen me konsensusin në rritje për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas tij, njohja e pavarësisë së Kosovës ka rëndësi pasi që “forcon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në mbarë Ballkanin Perëndimor”.
Ministria e Jashtme e Sirisë tha se vendimi për njohjen e Kosovës “buron nga bindja e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga angazhimi i saj për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”.
Ky shtet në Lindjen e Mesme për më shumë se një dekadë ka qenë ndër vendet më izoluara të botës, e dërrmuar nga lufta civile, dështimi i ekonomisë dhe sanksionet e mëdha ndërkombëtare.
Nga janari i këtij viti, ky vend udhëhiqet nga Ahmed Al-Sharaa, i cili i kishte udhëhequr luftëtarët e opozitës në rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij.
Siria u bë shteti i 120 që e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.
Kjo është njohja e tretë brenda këtij viti që ka siguruar Kosova, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën pavarësinë e saj.
Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Serbia kishte reaguar me zemërim ndaj njohjeve të fundit të Kosovës, pasi vazhdon ta cilësojë Kosovës si pjesë të veten./ REL (A2 Televizion)
