Marrëveshja e naftës “zbut” Rusinë? Administrata Trump beson se Putini mund të negociojë fundin e luftës

Nga Rosalba Bejdo
13 Tetor 2026, 10:11 | Bota

Marrëveshja e naftës “zbut” Rusinë? Administrata

Marrëveshja që Shtetet e Bashkuara arritën me Rusinë për naftën është pjesë e përpjekjeve për të rikthyer Moskën në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës me Ukrainën. Kështu u kanë thënë të dërguarit e posaçëm të Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zyrtarëve ukrainas gjatë takimit të zhvilluar të premten në Miami, shkruan A2 CNN. Këtë e bënë me dije tre burime me dijeni mbi çështjen, të cituara nga Reuters.

Sipas tyre, Kushner dhe Witkoff thanë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte i gatshëm të negocionte për përfundimin e luftës dhe se marrëveshja e njoftuar javën e kaluar mund të ndihmojë në rinisjen e bisedimeve trepalëshe.

Administrata amerikane beson se dhënia e dritës jeshile nga SHBA-ja për heqjen e sanksioneve ndaj naftës do të zbusë qëndrimin e Moskës, pasi dërgon sinjalin se Trump është i hapur për të bërë gjëra të reja me Rusinë.

Marrëveshja, sipas së cilës Rusia do të sigurojë më shumë se 2,35 milionë fuçi naftë dizel për tregun amerikan dhe atë global, ka nxitur kritika të forta nga disa ligjvënës amerikanë. Ata argumentojnë se ujdia do t'i jepte Moskës paratë e nevojshme për të vazhduar luftën, pa e detyruar Putinin të bëjë lëshime për përfundimin e konfliktit.

Të hënën, Trump e mbrojti marrëveshjen, duke e quajtur atë zgjedhjen e duhur për popullin amerikan. Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ukrainës të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe madje kanë kërcënuar se do të ndërpresin furnizimet me armë nëse Kievi nuk bindet.

Trump njoftoi të dielën një “armëpushim energjetik”, siç e quajti ai, por asnjëra nga palët nuk e ka konfirmuar atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos