Personave që aplikojnë për nënshtetësi në Gjermani tani do t'u kërkohet të pohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, sipas ndryshimeve në ligjin e shtetësisë. Legjislacioni hyri në fuqi të enjten, teksa qeveria po përballet me antisemitizmin në rritje.
Provimi për të marrë nënshtetësinë do të përfshijë tani një numër pyetjesh të reja, sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme.
“Në përgjigje të rritjes së antisemitizmit në Gjermani, lista e pyetjeve në testin e natyralizimit është zgjeruar. Pyetjet e reja të provimit janë shtuar mbi temat e antisemitizmit, të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar dhe jetën hebreje në Gjermani”, thuhet në njoftim.
Lufta në Gaza dhe mbështetja e fortë e Berlinit për Izraelin, ka nxitur shumë diskutime në Gjermani. Pas sulmeve të 7 tetorit, ligjvënësit gjermanë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz, përsëritën se siguria e Izraelit është çështje e interesit kombëtar.
Por zëra të tjerë në vend kanë akuzuar autoritetet se kanë shkuar shumë larg, duke shkelur të drejtat e pro-palestinezëve për lirinë e fjalës dhe lirinë e tubimit. Gjermania ka diasporën më të madhe palestineze në Evropë, e cila vlerësohet në 300.000 persona.
Reforma vjen pasi një raport të ri nga RIAS, një organizatë që monitoron antisemitizmin në Gjermani, që zbuloi se incidentet antisemitike në vend u rritën rreth 83%, vitin e kaluar, duke u rritur ndjeshëm pas sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza. Këto incidente përfshijnë gjithçka, nga mbishkrimet antisemitike, kërcënimet dhe sulmet e dhunshme.
(A2 Televizion)