Gjermania rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, CDU/CSU dhe SPD bien dakord për modelin me lotari

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 09:30 | Bota

Gjermania rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, CDU/CSU dhe SPD

Drejtuesit e grupeve parlamentare të CDU/CSU dhe SPD kanë arritur një marrëveshje bazë se si mund të organizohet shërbimi ushtarak i ardhshëm në Gjermani,  njoftoi televizioni ARD në Berlin. Marrëveshja u arrit pas konsultimeve mes ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) dhe përfaqësuesve të partive të koalicionit. Në takim morën pjesë drejtuesit e grupit parlamentar të CDU/CSU dhe SPD, Jens Spahn (CDU) dhe Matthias Miersch (SPD), si dhe ekspertë të mbrojtjes nga të dyja partitë.

Detajet bëhen të ditura të enjten (13.11.) por sipas informacioneve të disa mediave gjermane modeli për të cilin është rënë në ujdi, parashikon kontrollin mjekësor të të gjithë grupmoshës së të rinjve çdo vit. Kontrolli do të jetë i detyruar. Ky model gjeti mbështetje të fortë nga politikanët e koalicionit ditët e fundit. Si hap i dytë, raporton gazeta gjermane "Bild" do të përdoret një sistem llotarie, kjo nëse nuk mund të gjenden vullnetarë  në numër të mjaftueshëm mes të rinjve të përshtatshëm për ushtrinë. Llotaria do të vendosë më pas se kush duhet t'i bashkohet Bundeswehr-it

Grindja për shërbimin vullnetar
Në projektligjin fillestar për shërbimin e ri ushtarak, Pistorius fillimisht bazohej kryesisht në shërbim vullnetar për të tërhequr rekrutë në Bundeswehr. CDU/CSU kishte kërkuar një mekanizëm automatik për rekrutimin ushtarak nëse nuk paraqiteshin mjaftueshëm vullnetarë. Për këtë pati mosmarrëveshje dhe u deshën javë konsultimesh. Ekspertët e politikave të mbrojtjes nga CDU/CSU dhe SPD në Bundestag hartuan një propozim kompromisi në mesin e tetorit. Sipas këtij propozimi, një sistem llotarie do të përcaktonte se kush do të duhej t'i nënshtrohej rekrutimit të detyrueshëm, modeli nuk përfshinte rekrutimin e të gjitha grupmoshave. Nëse nuk gjendeshin mjaftueshëm vullnetarë përmes këtij procesi, burrat e përzgjedhur sipas nevojave të Bundeswehr-it do të rekrutoheshin në shërbim ushtarak përmes një llotarie të mëtejshme.

Për shkak të kërcënimit që paraqet Rusia dhe ndryshimeve që rezultojnë në planet e NATO-s, forcat e armatosura gjermane do të rriten me afërsisht 80.000 deri në 260.000 meshkuj dhe femra si pjesë e trupës së përhershme. Përveç kësaj, do të ketë 200.000 rezervistë, numri i të cilëve do të rritet kryesisht përmes shërbimit të ri të detyrueshëm ushtarak./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos