Banorët në Kiev shprehen të lodhur nga lufta e Rusisë e nisur kundër Ukrainës, 4 vite më parë. Ata kërkojnë që të kthehet paqja me çdo kusht dhe pavarësisht rezultatit, ndërsa theksojnë se gjithçka nisi nga Vladimir Putin dhe duhet të përfundojë nga ai.
“Mendova se e gjithë (lufta) do të mbaronte në vjeshtën e vitit 2022, pas kundërsulmit tonë. Por më pas u bë e qartë se do të duhej një kohë e gjatë, sepse po luftojmë kundër një vendi shumë të madh. Është një luftë e gjatë, e militarizuar, agresive. Mentaliteti moskovit ka qenë gjithmonë i tillë”, thotë Oleksandr Kyrychenko, me profesion aktor.
Për ekonomisten Tetiana Kudatska, lufta nuk zgjat as një ditë dhe as një muaj. “Me shumë mundësi kemi menduar më shumë se si të dalim nga kjo, si të fitojmë dhe të arrijmë fitoren. Mendoj se lufta ka kohë që vazhdon dhe jemi tashmë në vijën e finishit. Unë besoj në këtë”, thotë ajo.
Edhe mësuesi Viktor Buinovskyi nuk e beson se ndonjë ukrainas mendonte se lufta do të zgjaste kaq gjatë. “Por Rusia ishte përgatitur për të për një kohë shumë të gjatë: ata po prodhonin raketa dhe avionë. Gjithçka varet nga një person, nga Putini, Presidenti i Rusisë. Ai e filloi këtë luftë dhe duhet ta përfundojë atë”, shprehet ai.
Dërgimi i djalit në luftë ishte gjëja e fundit që Liudmyla Taran kishte menduar. “Në makthin tim më të keq, nuk e kisha imagjinuar kurrë se kjo do të ndodhte”, thotë ajo. “Ata na pushtuan... Mendova se mund të arrinim disi një marrëveshje, të gjenim diçka. Por tani fëmija im ka qenë në front për katër vjet. Dua që të mbarojë sot. Le të vendosin për këtë çështje ata që janë mbi ne. Si vendosin, nuk më intereson. Por unë dua paqe”. (A2 Televizion)