Një gjykatë apeli federale në SHBA ka pranuar kërkesën e administratës Trump për të mbajtur në fuqi tarifat ndaj Kinës, ndërkohë që rasti pritet të rishqyrtohet gjatë verës.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një “kuadër të përgjithshëm” gjatë bisedimeve për tarifat që u zhvilluan ditët e fundit në Londër, njoftoi zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang.
Në anën tjetër të Paqësorit, tensionet po rriten në Los Angeles, ku vijojnë protestat pro-emigracionit, të cilat janë përhapur tashmë në 10 qytete.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër autoritetet lokale, duke akuzuar guvernatorin e Kalifornisë Gavin Newsom dhe kryetaren e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, për dështime në menaxhimin e situatës dhe në rindërtimin pas zjarreve shkatërrimtare.
“Po të mos kisha dërguar trupat në Los Angeles, ajo qytet sot do të ishte në flakë,” tha Trump, duke shtuar: “25 mijë shtëpi janë shkatërruar për faj të një guvernatori dhe një kryetare bashkie të paaftë.” Ai deklaroi se synon të “çlirojë” qytetin dhe ta bëjë sërish të sigurt, duke pretenduar se protestat janë të organizuara nga “rebelë të paguar” që valëvisin flamuj të huaj.
Trump i quajti protestuesit “pushtues të huaj”, “kriminelë të botës së tretë” dhe më pas “kafshë”, duke shkaktuar reagime të forta nga grupet për të drejtat e njeriut.
Ndërkohë, një gjykatë federale ka vendosur kufizime për përdorimin e ushtrisë në Los Angeles, duke ndaluar ndërhyrjen e mëtejshme të trupave ushtarake.
Pavarësisht kësaj, administrata Trump po përgatitet të transferojë mijëra emigrantë pa dokumente drejt bazës ushtarake në Guantanamo Bay, Kubë. Mes të ndaluarve ndodhen edhe shtetas italianë. (A2 Televizion)