Momenti kur gjykatësi lexon gabim vendimin, shpall fajtor për vrasje të pandehurin

Nga A2 CNN
19 Gusht 2025, 16:58 | Bota

Një moment i pazakontë ndodhi në një sallë gjyqi në Fulton County të shtetit të Xhorxhias në SHBA, kur gjykatësi gabimisht shpalli fajtor një të pandehur që në fakt ishte shpallur i pafajshëm nga juria.

Në bankën e të akuzuarve ishte Alton Oliver, i cili po gjykohej për vrasjen e një oficeri policie në vitin 2022. Ai përballej me gjashtë akuza, përfshirë tre për vrasje, raportoi televizioni lokal WXIA Atlanta, përcjell A2 CNN. Pamjet nga salla e gjyqit tregojnë momentin kur gjykatësi lexon gabimisht vendimin e jurisë, duke thënë: “Ne, juria, e shpallim të pandehurin fajtor për të gjitha gjashtë akuzat”.

Oliver dhe ekipi i tij ligjor qëndruan në heshtje, por në sallë filluan reagime të menjëhershme dhe pyetje nga të pranishmit, të cilët vunë në dukje se gjykatësi kishte bërë një lapsus. Pasi kontrolloi sërish dokumentin e jurisë, gjykatësi e kuptoi gabimin dhe pyeti: “A nuk thashë ‘i pafajshëm’?”. Në atë moment, disa persona në sallë iu përgjigjën: “Jo”.

Më pas ai kërkoi falje dhe e lexoi saktë vendimin, këtë herë duke shpallur Oliverin të pafajshëm për të gjitha akuzat. Reagimi në sallë ishte i menjëhershëm, me duartrokitje dhe të qeshura nga publiku. Pas shpalljes së pafajësisë, Oliver u përqafua me avokatët e tij mbrojtës, siç tregojnë pamjet filmike.

Më herët gjatë javës, ai kishte dëshmuar në gjykatë se kishte vepruar në vetëmbrojtje, pasi efektivi James Thomas, viktima e ngjarjes, kalonte shpesh pranë tij me makinë dhe e ngacmonte seksualisht.

Ky vendim mbylli një proces të ndjekur nga afër nga publiku në Fulton County, i cili u bë edhe më i paharrueshëm për shkak të lapsusit të gjykatësit gjatë shpalljes së verdiktit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos