Grupi i armatosur sulmon dy blinda me para në Itali

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 08:00 | Bota

Grupi i armatosur sulmon dy blinda me para në Itali

Momente frike dhe paniku u regjistruan të hënën në mbrëmje në autostradën A14 Bolonja–Taranto, ku një grup grabitësish të armatosur sulmuan dy furgonë të blinduar që transportonin para.

Sipas hetimeve të para, komandoja veproi në mënyrë të koordinuar, duke përdorur armë gjysmëautomatike dhe eksplozivë.

Ata hodhën gozhda në asfalt për të ndalur automjetet dhe qëlluan në gomat e një cisterne të parkuar, me qëllim të bllokonin kalimin e furgonëve. Gjatë incidentit u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe një shpërthim, që shkaktuan panik tek shoferët.

Megjithatë, plani dështoi pasi rojet e sigurisë reaguan menjëherë dhe arritën të shmangin ndalimin e automjeteve.

Ndërhyrja e shpejtë e patrullave të policisë rrugore bëri që grabitësit të braktisnin planin dhe të iknin duarbosh. Askush nga rojet e sigurisë nuk mbeti i plagosur.

Autostrada A14 u bllokua plotësisht në të dy drejtimet, duke shkaktuar një trafik të rënduar për disa orë.

Shtabi i Policisë së Maceratës aktivizoi menjëherë një plan kundër grabitjes, duke ngritur postblloqe në zona të ndryshme të rajonit dhe duke nisur hetime të detajuara në vendin e ngjarjes. Pamjet e kamerave të sigurisë po analizohen për të identifikuar automjetet e përdorura nga banda.

Pas ndjekjes, një nga grabitësit, i cili mbeti i plagosur në këmbë, u dërgua në Spitalin Rajonal Torrette në Ankona. Dy persona të tjerë u arrestuan pranë një furgoni që mbante dy motoçikleta, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për arratisje. Të tre të ndaluarit nuk janë banorë të rajonit të Marche-s.

Dy grabitës të tjerë janë ende në arrati dhe kërkimet vijojnë në zonën e Potenza Picena, ku hetuesit gjetën një makinë të djegur që besohet të jetë përdorur gjatë tentativës së grabitjes.

Policia nuk përjashton mundësinë që banda të ketë qenë e përfshirë edhe në grabitje të tjera të ngjashme në Italinë qendrore. Hetimet vazhdojnë intensivisht për të identifikuar të gjithë anëtarët e grupit kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos