Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi atë që e quajti marrëveshje historike për çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Ai tha se dakordësia për çarmatimin me disa faza ishte arritur pas bisedimeve në Kajro mes negociatorëve.
Hamas po ashtu pranoi se kishte pranuar planin, por një zyrtar e përshkroi marrëveshjen si një draft.
“Sot, Bordi i Paqes arriti një marrëveshje historike për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Ky është një hap madhor drejt një paqeje dhe sigurie të qëndrueshme. Kjo marrëveshje përbën një hap vendimtar drejt krijimit të kushteve që Gaza të qeveriset më në fund nga një qeveri e re palestineze, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me Bordin e Paqes për të ndihmuar popullin palestinez. Njëkohësisht, Izraeli do të ketë sigurinë që kërkon, pasi Gaza nuk do të përdoret më si bazë për sulme terroriste.”
Trump sqaroi se marrëveshja shënonte një moment të rëndësishëm në zbatimin e planit me 20 pika të propozuar prej tij dhe do të implementohet në faza të mirëstrukturuara dhe të planifikuara me kujdes.
Ndërkohë, një burim i Hamasit tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ajo që e quan draft-marrëveshje parashikon se armatimet e rënda do të magazinohen dhe do të mbahen nën kontroll nga administrata palestineze, dhe se armët nuk mund të transferohen në Izrael.
“Nuk do të marrim asnjë veprim për çarmatimin, para se Izraeli të tërhiqet nga Rripi”, tha një pjesëtar i grupit.
Izraeli, ndërkohë, nuk ka komentuar ende njoftimin, por sipas një zyrtari amerikan, ai është shumë skeptik mbi vullnetin e Hamasit për t’u dorëzuar. “Nëse Izraeli nuk i përmbahet marrëveshjes, Presidenti Trump do të zhgënjehet shumë”, ishte deklarata e zyrtarit.
Izraeli kërkon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës si kusht paraprak, ndërsa mbeten të paqarta çështje kyçe si dorëzimi i armëve, tërheqja e trupave izraelite dhe zbatimi i marrëveshjes.
Ndërkohë, luftimet vazhdojnë, me sulme të reja izraelite që kanë shkaktuar viktima në Gaza, përfshirë dy fëmijë dhe një grua. Izraeli pretendon se goditi militantët e Hamasit në enklavë. (A2 Televizion)