Mijëra të evakuar në Kretë, flakët përhapen me shpejtësi, vdesin 3 zjarrfikës në Greqi

Nga Rosalba Bejdo
30 Korrik 2026, 19:25 | Bota

Mijëra të evakuar në Kretë, flakët përhapen me

Zjarret masive që kanë përfshirë ishullin grek të Kretës kanë detyruar mijëra banorë dhe turistë të evakuohen, ndërsa dy zjarrfikës humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shuar flakët.

Zjarri shpërtheu në rajonin e Rethymnos dhe u përhap me shpejtësi, i favorizuar nga erërat e forta që arritën deri në 125 kilometra në orë. Flakët kanë shkatërruar banesa dhe toka bujqësore, ndërsa autoritetet thonë se zjarri mbetet ende jashtë kontrollit.

Rreth 8 mijë persona u evakuuan gjatë natës, por më vonë u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre. Për banorët dhe turistët u ngritën edhe qendra të përkohshme strehimi. Qindra zjarrfikës vazhdojnë betejën me flakët në një nga periudhat më të ngarkuara të sezonit turistik në Kretë.

Ndërkohë, një zjarrfikës i tretë humbi jetën në Greqinë kontinentale, pranë qytetit portual të Gythios, në Peloponez.

Situata mbetet kritike edhe në vende të tjera të Evropës. Në Spanjë, mbi një mijë persona janë evakuuar nga zjarret në provincat Zamora dhe León, pranë kufirit me Portugalinë, ndërsa zjarri në Ávila konsiderohet më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit. Në Francën jugperëndimore, mijëra banorë kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre pas përmirësimit të situatës në rajonin e Gironde.

Evropa po përballet me një sezon zjarresh të paprecedentë, të përkeqësuar nga valët e të nxehtit dhe thatësira, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po favorizojnë përhapjen dhe intensitetin e këtyre zjarreve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos