PDK kundër Kurtit, Çitaku: Do të jemi në opozitë, kaq

Nga Erjon Dervishi
31 Korrik 2026, 19:17 | Kosova

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se kjo parti do të mbetet në opozitë dhe nuk do të jetë pjesë e një qeverie të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas takimit konsultativ me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Çitaku tha se PDK është e gatshme të bashkëpunojë vetëm për konstituimin e institucioneve dhe çështjet me interes për qytetarët, por jo për bashkëqeverisje.

"Partia Demokratike e Kosovës ka pozicion të qartë politik. Ne do të jemi në opozitë. Mirëpo po ashtu jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen në mënyrë që të fillojmë të adresojmë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. PDK do të jetë në opozitë.... Jemi vite dritë larg me Lëvizjen Vetëvendosje dhe shohim fare pak hapësirë për bashkëpunim. Këtë qëndrim e kemi bërë të qartë. Mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por jo në qeverisje. Në ndërkohë që opozita ka nevojë për bashkërendim, por ne ende nuk e dimë saktë kush do të jetë në opozitë e kush në pushtet. PDK do të jetë në opozitë”, tha ajo.

Ndërkaq e pyetur nëse qëndrimi i PDK është i njëjtë edhe për zgjedhjen e presidentit, Çitaku tha se “çështja e presidentit nuk është një vend pune”.

“Zgjedhja e presidentit i mundëson Albin Kurtit qeverisje katërvjeçare. Për ne po aq sa është i rëndësishëm presidenti, është raporti me SHBA-të, është gazi amerikan, është sektori privat, liria e mediave, mbrojtja e demokracisë. Pra ka shumë çështje rreth të cilave ne kemi dallime të thella. Dhe zgjedhja e presidentit i mundëson Albin Kurtit edhe një qeverisje katërvjeçare”, tha ajo.

Ndërkohë Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur rezultatin e dalë nga Kuvendi i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një zhvillim që mundëson vazhdimin e takimeve ndërmjet partive për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit

“Së pari, është lajm i mirë që tashmë, kemi pasë një mbledhje të LDK-së dje. Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së. Sigurisht që nuk është në mandatin tim as në përgjegjësitë e mia, sidomos jo në cilësinë që jam që të flas për atë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë. Pra, ato të fillojnë dhe të mbahen. Dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.

Sa i përket faktit se a do të heq dorë nga pozita e ushtrueses së detyrës së Presidentit nëse do të propozohet si Kryetare e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje ajo e pohoi një gjë të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos