
Evropa Jugore po përballet me një valë të re zjarresh shkatërruese, ndërsa situata më kritike raportohet në ishullin grek të Kretës, ku mijëra banorë dhe turistë janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe hotelet për shkak të flakëve të përhapura nga erërat e forta.
Në rajonin e Rethymnos, rreth 8 mijë persona u evakuuan gjatë natës, ndërsa autoritetet bënë të ditur se një pjesë e tyre janë rikthyer në banesat e tyre pasi rreziku u zvogëlua. Megjithatë, zjarri mbetet jashtë kontrollit dhe ka shkatërruar banesa, toka bujqësore dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.
Tragjedia u rëndua nga humbja e jetës së tre zjarrfikësve grekë. Dy prej tyre humbën jetën gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në Kretë, ndërsa një zjarrfikës i tretë vdiq në Peloponez, pranë qytetit portual Gytheio. Autoritetet greke i kanë cilësuar ata si heronj që sakrifikuan jetën në mbrojtje të qytetarëve, shkruan A2CNN.
Zjarret kanë përfshirë edhe vende të tjera të Evropës. Në Spanjë, më shumë se 1 mijë persona janë evakuuar në provincat Zamora dhe León, ndërsa zjarri në Ávila, që ka djegur mbi 43 mijë hektarë, konsiderohet më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit.
Kryeministri Pedro Sánchez ka shpallur fundin e emergjencës kombëtare në disa rajone, por ka bërë thirrje për kujdes maksimal për shkak të valës së të nxehtit.
Në Portugali, pesë persona janë plagosur nga zjarret në Valpaços, ndërsa në Francën jugperëndimore mijëra banorë kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre pas stabilizimit të situatës në rajonin e Girondës, ku janë djegur mbi 90 mijë hektarë tokë.
(A2 Televizion)