Raketa ruse godet Poloninë, Tusk: Incident shumë serioz, 8 viktima nga sulmet në Ukrainë

Nga Rosalba Bejdo
30 Korrik 2026, 15:58 | Bota

Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa dhe dronë kundër Ukrainës, që goditi Kievin dhe u shtri deri në Lviv, në perëndim të vendit, ndërsa një raketë ra gjithashtu edhe në Poloninë fqinje. Kjo e fundit ngriti në ajër avionët luftarakë për mbrojtjen e hapësirës ajrore, teksa shpërthime të forta u raportuan në qarkun e Bilgoraj, rreth 90 kilometra në thellësi të territorit polak. Në zonë u zbuluan një krater dhe mbetje të një objekti të paidentifikuar, ndërsa kryeministri polak konfirmoi se bëhej fjalë për një raketë lundruese ruse.

Sulmet, që shkaktuan të paktën 8 viktima në Ukrainë, vijnë teksa presidenti Volodimir Zelenski po kthehej nga Shtetet e Bashkuara, ku presidenti Donald Trump pranoi t'i jepte Ukrainës licencën për prodhimin e raketave Patriot. Sirenat e alarmit ranë pothuajse në të gjitha rajonet e vendit, ndërsa shpërthime të forta u dëgjuan në Kiev. Kryebashkiaku Vitali Kliçko raportoi se disa zona jorezidenciale kishin marrë flakë.

Siç bëhet e ditur, një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në kryeqytet, ndërsa gjashtë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u vranë në rajonin e Dnipropetrovsk. Një viktimë u shënua edhe në Poltava.

Në Lviv, qytet pranë Polonisë, vend anëtar i NATO-s, ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar nga rrënojat e dy pallateve të dëmtuara nga raketat ruse.

Ndërkohë, sulmet me dronë të Ukrainës vazhdojnë të godasin magazinat e shitësit më të madh online në Rusi, Wildberries, duke shkaktuar zjarre, të plagosur dhe dëme të mëdha ekonomike për mijëra biznese të vogla që varen nga platforma.

Sipas autoriteteve ruse, gjatë natës u rrëzuan 258 dronë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos