Hamas pranon çarmatimin e plotë në Gaza, Trump: Marrëveshje historike për paqen

Nga A2 CNN
31 Korrik 2026, 07:24 | Bota

Hamas pranon çarmatimin e plotë në Gaza, Trump:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se është arritur një marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si një hap vendimtar drejt përfundimit të konfliktit.

Sipas Trump, Izraeli do të tërhiqet nga Gaza sapo të përfundojë procesi i çarmatimit. Ai e përshkroi marrëveshjen si "një hap kyç drejt qeverisjes së Gazës nga një qeveri e re palestineze".

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Hamasit tha për BBC se lëvizja ka rënë dakord me planin për çarmatimin e plotë dhe se një deklaratë zyrtare pritet të publikohet së shpejti. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që Hamasi pranon publikisht të heqë dorë nga armët, një prej pengesave kryesore në negociatat për paqe, shkruan A2.

Deri tani, Izraeli nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtij lajmi. Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se Presidenti Trump do të jetë "shumë i zhgënjyer" nëse Izraeli nuk zbaton pjesën e marrëveshjes që parashikon tërheqjen nga Gaza.

Megjithatë, mbetet ende herët për të vlerësuar nëse marrëveshja do të zbatohet plotësisht. Çarmatimi i Hamasit ka qenë prej vitesh kushti më i rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje dhe është pjesë e fazës së dytë të planit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili synon t'i japë fund konfliktit dhe të hapë rrugën për një administrim të ri të Gazës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos