Hamas publikon një tjetër video, shfaqen dy pengje që kërkojnë lirinë që nga sulmi i 7 tetorit

Nga A2 CNN
28 Prill 2024, 11:26 | Bota

Hamasi publikoi një video në të cilën shfaqen dy pengje izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit në Izraelin jugor. Videoja është filmuar në mënyrë të ngjashme me videot e mëparshme të pengjeve të bëra publike nga grupi islamik, të cilin Izraeli e ka dënuar si terrorizëm psikologjik.

Dy burrat, të identifikuar si Keith Siegel, 64 vjeç dhe Omri Miran, 47 vjeç, flasin individualisht përpara një sfondi bosh, teksa u përcjellin dashurinë familjeve të tyre dhe kërkojnë të lirohen.

Mirani u mor peng nga shtëpia e tij në komunitetin Nahal Oz në sytë gruas dhe dy vajzave të vogla gjatë valës së vrasjeve të Hamasit që ndezën luftën në Gaza.

Siegel, që shtetësinë e dytë e ka amerikane, u kap rob me gruan e tij, e liruar më vonë gjatë armëpushimit të shkurtër të nëntorit.

Videoja u publikua gjatë festës së Pashkës, kur hebrenjtë festojnë tradicionalisht historinë biblike të fitimit të lirisë nga skllavëria në Egjipt.

Në një moment Siegel shpërthen duke qarë teksa rrëfen se ka festuar festën me familjen e tij vitin e kaluar, dhe duke urua për ribashkimin e tyre.

Agjencia Reuters thotë se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vendndodhjen ose datën kur u filmua video. Rreth 250 izraelitë dhe të huaj u morën peng gjatë sulmit të Hamasit, i cili vrau rreth 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite.

Si përgjigje, Izraeli nisi një sulm në Gaza, duke u zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe të kthejë pengjet në shtëpi. Sulmi deri më tani ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e sunduar nga Hamasi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos