Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Izraeli ka pranuar kushtet për një armëpushim 60-ditor në Gaza, megjithëse nuk ishte e qartë nëse Hamasi do t’i pranonte kushtet. Dy zyrtarë të administratës thanë se Hamasi ende duhej të binte dakord me marrëveshjen.
"Përfaqësuesit e mi patën një takim të gjatë dhe produktiv me izraelitët sot (të martën) mbi Gazën. Izraeli ka rënë dakord me kushtet e nevojshme për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit ne do të punojmë me të gjitha palët për t'i dhënë fund luftës”, njoftoi Trump në Truth, shkruan A2 CNN.
Në një postim në rrjetin social Truth, Trump tha se Katari dhe Egjiptianët do t’ia paraqesnin atë Hamasit.
“Katarianët dhe egjiptianët, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e paqes, do t'ia paraqesin këtë propozim përfundimtar Hamasit. Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse situata nuk do të përmirësohet, por do të përkeqësohet”, përfundoi presidenti amerikan.
Zyrtarët e Katarit i kishin paraqitur të martën si Hamasit ashtu edhe Izraelit një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor, i cili mbështetet nga administrata Trump, tha një burim për CNN.
Propozimi u finalizua pas muajsh përpjekjesh prapa skenave të udhëhequra nga i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Ëitkoff, tha burimi. Ai u paraqit në të njëjtën ditë kur Ministri i Izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, vizitoi Uashingtonin për takime me zyrtarë të lartë të administratës Trump.
Propozimi i ri vjen vetëm disa ditë pasi Katari ndihmoi në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit, dhe muaj pasi një propozim fillestar për armëpushim të mbështetur nga administrata Trump për Gazën u refuzua nga Hamasi. (A2 Televizion)