Hamasi vrau ushtarin, Izraeli bombardon rëndë Gazën, mbi 65 palestinezë të vrarë

Nga Xhevahir Qardaku
29 Tetor 2025, 11:09 | Bota

Në Rripin e Gazës u rikthye “ferri”. Të paktën 65 palestinezë u vranë pas një vale sulmesh nga Izraeli, sipas raportimeve që vijnë nga mbrojtja civile e drejtuar nga Hamasi dhe spitalet. Ushtria e shtetit hebre zhvilloi disa bombardime si kundërpërgjigje ndaj asaj që e konsideroi një shkelje nga Hamasi të armëpushimit të arritur nga Shtetet e Bashkuara.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit akuzoi grupimin palestinez se gjatë një sulmi në jug të Gazës ka vrarë një ushtar izraelit gjatë të martës, duke shkelur zotimin e ndërmarrë për paqe dhe kushtet për kthimin e trupave të pajetë të pengjeve. Hamasi pretendon se nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin në fjalë dhe këmbëngul në përkushtimin për respektimin e paktit për armëpushim. Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmon se asgjë nuk do ta vërë në rrezik ujdinë e paqes, por shtoi se Izraeli duhet të sulmojë nëse i vriten ushtarët.

“Asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin. Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme. Dhe ata duhet të sillen mirë. Ata janë në anën e keqe, por thanë se do të ishin të mirë, dhe nëse sillen mirë, do të jenë të lumtur. Dhe nëse nuk sillen mirë, do të zhduken. Jetët e tyre do të ndërpriten dhe ata e kuptojnë këtë”, tha Trump.

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi. Raportohet se mes viktimave kishte shumë fëmijë, ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur. Pas këtyre bombardimeve, Izraeli konfirmoi edhe njëherë rivendosjen e regjimit të armëpushimit në enklavën palestineze. Qeveria e Tel Avivit akuzon Hamasin se nuk ka kthyer ende trupat e 13 pengjeve që kanë humbur jetën në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos