Më shumë fëmijë janë vrarë në Gaza në 3 javë sesa në të gjitha konfliktet globale që nga viti 2019. Shifrat alarmante bëhen me dije nga “Save the Children”.
Duke cituar shifra nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, deri më 29 tetor, 3195 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori. 33 fëmijë të tjerë janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe 29 fëmijë janë vrarë në Izrael. Të gjitha të dhënat bazohen mbi raportimet që kanë bërë autoritetet lokale shëndetësore.
Në të njëjtën kohë, dhjetëra mijëra foshnja, fëmijë dhe adoleshentë mbeten në kampe larg shtëpive dhe shkollave të tyre. Pas urdhrit të Izraelit, pothuajse 22.000 njerëz kanë gjetur strehim në kampe, duke përfshirë 11.400 fëmijë nën moshën 12 vjeç. OKB-ja e përshkroi situatën në Gaza si një fatkeqësi dhe paralajmëroi se banorët së shpejti do të mbeten pa ujë të pijshëm.
Korrespondentët e New York Times në Gaza dokumentojnë realitetin e zymtë që këta fëmijë janë të detyruar të jetojnë në kampet e Kombeve të Bashkuara.
“Dua që lufta të përfundojë dhe dua të shkoj në shtëpi për të fjetur”, thotë para kamerës 5-vjeçari Wael Salha.
“Ra dritarja, ne ishim të frikësuar dhe prandaj erdhëm këtu. Duart më dridheshin dhe filluan të më dhembin. Nuk kemi as ujë, as energji, as ndonjë gjë për të pirë. Ne jemi të etur. Unë jam me mamin, babin dhe motrat e mia janë tre prej tyre”, shtoi Wael Salha.
“Kemi ardhur këtu sepse nuk kemi asgjë. Ata bombarduan shtëpinë dhe e shkatërruan. Askush nuk mund të durojë askënd dhe ka kaq shumë probleme. Ka plehra gjithandej”, tregon para kamerës 8-vjeçari Ammar Abdulhajj.
10-vjeçari Hayat Abu Jarad pranon: “Jeta nuk është e mirë këtu. Kjo nuk është e drejtë. E thirrën dajën dhe na thanë të largoheshim nga shtëpia. Gjetëm një makinë plot plehra dhe erdhëm këtu. Nuk kemi dyshekë, flemë poshtë. Nëna ime shtriu një batanije dhe ne të gjithë flemë mbi të”.
“Dora e nënës sime është lënduar, motra ime është lënduar në fytyrë, këmbë dhe dorë. Ne duam një armëpushim që askush tjetër të mos lëndohet ”, thotë 12-vjeçarja Jumana Dahmal.
Të gjithë fëmijët kërkojnë një gjë, armëpushim. (A2 Televizion)