Hungaria heq bllokimin, miratohet kredia 90 miliardë euroshe për Ukrainën

Nga A2 CNN
22 Prill 2026, 14:34 | Bota

Hungaria heq bllokimin, miratohet kredia 90 miliardë euroshe për

Ndryshimi i kryeministrit në Hungari dhe rifillimi i furnizimit me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba” drejt Hungarisë dhe Sllovakisë, ka zhbllokuar një nga ngërçet më të rëndësishme mes Bashkimit Europian dhe Ukrainës, pasi është hapur rruga miratimit paraprak të një kredie prej 90 miliardë eurosh nga BE-ja, një paketë jetike për mbështetjen financiare dhe ushtarake të Kievit, shkruan A2 CNN.

Vendimi për të rifilluar pompimin e naftës erdhi pasi dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse në Ukrainë u riparuan. Sipas autoriteteve ukrainase, furnizimi nisi sërish në mesditën e së mërkurës, ndërsa dërgesat e para pritet të mbërrijnë në Sllovaki dhe Hungari brenda ditës së enjte. Kompania hungareze MOL konfirmoi pritshmëritë për rikthimin e furnizimit në afat të shkurtër.

Bllokimi i mëparshëm ishte vendosur nga Viktor Orbán, i cili kishte kushtëzuar miratimin e kredisë me rikthimin e furnizimeve me naftë. Humbja e tij në zgjedhjet e fundit dhe ardhja në skenë e Péter Magyar pritet të sjellë një qasje më të butë ndaj Brukselit dhe Ukrainës.

Zyrtarë të lartë europianë, përfshirë Kaja Kallas, e cilësuan kredinë si thelbësore për qëndrueshmërinë e Ukrainës përballë agresionit rus. Ndërkohë, Volodymyr Zelensky theksoi se nuk ka më arsye për bllokim, duke nënvizuar se Ukraina përmbushi detyrimin për riparimin e tubacionit.

Paketa financiare, e cila pritet të miratohet përfundimisht në një samit informal të BE-së në Qipro, do të përdoret kryesisht për nevoja mbrojtëse, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për mbështetje ekonomike. Megjithatë, sipas burimeve ukrainase, mund të duhen disa javë derisa fondet të mbërrijnë realisht në Kiev. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos