Raketa e fuqishme del në Teheran. Trump thotë se Irani po fundoset, Pasdaran: Gishtin në buton

Nga Xhevahir Qardaku
22 Prill 2026, 10:53 | Bota

Amerika dhe Irani po shkojnë drejt kthimit në luftë… mediat raportojnë se bisedimet që duhej të mbaheshin në Islamabad të Pakistanit kanë dështuar.

Pavarësisht se presidenti amerikan, Donald Trump, zgjati armëpushimin deri në përfundimin e negociatave, zyrtarët ushtarakë nga Teherani kërkojnë me ngulm heqjen e bllokadës për anijet e tyre që hyjnë dhe dalin nga Ngushtica e Hormuzit, teksa akuzojnë ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për sekuestrimin e 3 anijeve me karburant.

“Irani po shembet financiarisht! Ata duan që Ngushtica e Hormuzit të hapet menjëherë. Po humbasin para! Po humbasin 500 milionë dollarë në ditë. Ushtria dhe policia ankohen se nuk po paguhen”, tha Trump, shkruan A2.

Mahdi Mohammadi, këshilltari i kryetarit të parlamentit të Iranit, e konsideroi zgjatjen e pacaktuar të armëpushimit nga ana e Donald Trump si një dredhi për të fituar kohë për një sulm të papritur. Ai e quajti bllokadën amerikane “një agresion ushtarak të vazhdueshëm”.

“Në përgjigje të kërcënimeve të përsëritura të presidentit amerikan dhe komandantëve të ushtrisë agresive dhe terroriste të atij vendi, ne paralajmërojmë se forcat tona të fuqishme kanë qenë prej kohësh në gatishmëri maksimale dhe do ta mbajnë gishtin në këmbëzë, në rast agresioni ose veprimi kundër Iranit”, tha një zëdhënës i Komandës Pasdaran të Gardës Revolucionare.

“Në rast agresioni, forcat iraniane do të sulmojnë menjëherë objektivat e paracaktuara dhe do t'u mësojnë Shteteve të Bashkuara agresive dhe regjimit sionist që vret fëmijë një mësim tjetër, më rëndë se më pare”, shtoi zëdhënësi, sipas Tasnim.

Irani e ka bërë të qartë se nuk do të merret vesh me Shtetet e Bashkuara për programet e saj bërthamore dhe raketore, edhe nëse hiqet bllokada detare e Hormuzit. E ndërsa paqes nuk iu dha as edhe një shans i dytë, në Teheran kanë nisur që të dalin në shesh armët e fuqishme.

Irani shfaqi raketën e tij balistike me rreze të gjatë veprimi Khorramshahr-4 në Sheshin e Revolucionit të kryeqytetit, njoftoi media shtetërore. Pamjet treguan turma që valëvitnin flamuj në tubimin ku u ekspozua raketa.

Khorramshahr-4 është një nga raketat balistike të përparuara të Iranit me rreze veprimi rreth 2 mijë kilometrash. Sipas raportimeve të medias, koka luftarake është e aftë të mbajë më shumë se një ton ngarkesë me shpërthim të lartë.bota

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos