Huthët përfshihen në luftë Irani godet bazën amerikane, 12 ushtarë të plagosur

Nga Rosalba Bejdo
28 Mars 2026, 17:57 | Bota

Zgjerohet konflikti në Lindjen e Mesme. Për herë të parë që prej fillimit të luftës në Iran, rebelët Huthi të mbështetur nga Irani, në Jemen, ndërmorën sulme raketore kundër Izraelit. Grupi tha se kishte lëshuar një breshëri raketash kundër objektivëve të ndjeshëm ushtarak në Izrael, siç tha në kundërpërgjigje të sulmeve ndaj Iranit, Libanit, Irakut dhe territoreve palestineze. Huthët thonë se operacionet e tyre do të vijojnë deri sa agresioni në të gjithë frontet të ndalet.

Yahya Sarea, zëdhënës i Houthit shprehet: “Forcat e Armatosura të Jemenit me ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, kanë kryer operacionin e tyre të parë ushtarak. Ky operacion përfshinte një breshëri raketash balistike që synonin objektiva të ndjeshme ushtarake të armikut izraelit në jug të Palestinës së pushtuar.”

Ekspertët thonë se përfshirja e rebelëve Huthi rrit mundësinë e zgjerimit të luftës. Arma më e fuqishme që kanë ata, është aftësia për të penguar qarkullimin detar në Detin e Kuq, efektet në ekonomi të së cilës do të ishin katastrofike.

Izraeli ndërkohë ka ndërmarrë një valë të re bombardimesh në Iran, ku ka goditur edhe Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Teheran. Në orët e fundit, autoritetet kanë raportuar vrasjen e të paktën 26 civilëve, përfshirë gra e fëmijë, pas sulmeve në Isfahan. Tel Avivi tha se kishte shënjestruar site industriale dhe nukleare në Iran.

Republika Islamike është kundërpërgjigjur duke goditur objektivë në Izrael dhe vendet e Gjirit, ndër të cilët një bazë ajrore amerikane në Arabinë Saudite. Të paktën 12 ushtarë amerikanë mbetën të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Sipas disa zyrtarëve të cituar nga mediat, sulmi shënon një prej dështimeve më serioze të mbrojtjes ajrore amerikane që prej fillimit të luftës. Në bombardimin me raketa e dronë, thuhet të jenë dëmtuar rëndë edhe dy avionë cisternë KC-135. Kuvajti raportoi dëme të limituara në aeroportin ndërkombëtar për shkak të një sulmi me dronë.

Nga Parisi, sekretari i shtetit Marco Rubio tha të premten se SHBA nuk ka nevojë për trupa tokësore për ta fituar luftën kundër Iranit dhe se konflikti do të mbyllet brenda disa javëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos