
Të paktën 22 emigrantë kanë humbur jetën në brigjet e Greqisë, pasi qëndruan për gjashtë ditë në det në një gomone, pa ushqim dhe ujë.
Sipas autoriteteve greke dhe dëshmive të të mbijetuarve, viktimat ndërruan jetë gjatë udhëtimit, ndërsa trupat e tyre u hodhën në det me urdhër të kontrabandistëve të dyshuar.
Mësohet se gomonia ishte nisur më 21 mars nga Tobruku në Libi, me destinacion Greqinë, një nga pikat kryesore hyrëse për emigrantët që kërkojnë azil në Bashkimin Evropian.
Dy të mbijetuar janë dërguar në spitalin e Heraklionit në Kretë, ndërsa në një operacion të veçantë, 26 persona të tjerë, përfshirë një grua dhe një të mitur, u shpëtuan pranë ishullit nga një anije e Frontex.
Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona nga Sudani i Jugut, të moshës 19 dhe 22 vjeç, të dyshuar si kontrabandistë të njerëzve.
Sipas UNHCR, mbi 16,700 emigrantë mbërritën në Kretë gjatë vitit 2025, ndërsa të paktën 107 persona janë raportuar të vdekur ose të zhdukur në ujërat greke gjatë së njëjtës periudhë.
Ngjarja rikthen në vëmendje rreziqet e mëdha që përballen emigrantët në përpjekje për të arritur në Evropë, pavarësisht masave të shtuara kufitare. (A2 Televizion)