
Forcat iraniane kanë ndërmarrë një tjetër sulm ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke lëshuar 20 raketa balistike dhe 37 dronë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së vendit.
Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha mjetet ajrore janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, pa shkaktuar dëme të drejtpërdrejta nga ky sulm i fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga nisja e përballjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, janë lëshuar gjithsej 398 raketa balistike drejt territorit të Emirateve, si dhe 15 raketa lundrimi dhe 1,872 dronë.
Bilanci i përgjithshëm i këtyre sulmeve përfshin viktima dhe të plagosur. Raportohet për dy anëtarë të forcave të armatosura të vrarë, një civil maroken i kontraktuar nga ushtria, si dhe tetë persona të tjerë me kombësi të ndryshme, përfshirë pakistaneze, nepaleze, bangladeshiane, palestineze dhe indiane.
Ndërkohë, të paktën 178 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve të deritanishme, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të mbeten të larta. (A2 Televizion)