
Një sulm ajror izraelit ka vrarë një fëmijë 9-vjeçar në lindje të Khan Younis, në jug të Gazës, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Viktima është identifikuar si Adel Lafi al-Najjar.
Ndërkohë, një grua është plagosur nga të shtënat në veri të Gazës, teksa bombardimet me artileri dhe sulmet ajrore izraelite kanë goditur disa zona, përfshirë Beit Lahiya dhe kampin e refugjatëve në Jabalia, si dhe pjesën lindore të Khan Younis gjatë orëve të mëngjesit, përcjell A2CNN.
Sipas raportimeve, numri i palestinezëve të vrarë që nga “armëpushimi” i tetorit ka arritur në 818.
Në zhvillime të tjera, sulmet ajrore izraelite kanë goditur edhe zona në veri të lumit Litani në Liban, sipas raportimeve nga terreni.
Këto sulme kanë shkaktuar një valë zhvendosjesh të banorëve drejt fshatrave përreth, si dhe kanë rënduar trafikun në rrugët kryesore që lidhin Nabatieh, Sidon dhe kryeqytetin Bejrut. (A2 Televizion)