Plasin teoritë e komplotit/ Tentativë për vrasjen e Presidentit, akuza për atentatorin e Trump

Nga Xhevahir Qardaku
27 Prill 2026, 23:15 | Bota

“Tentativë për vrasjen e presidentit amerikan”. Është kjo një nga disa akuzat e ngritura nga drejtësia në Shtetet e Bashkuara ndaj Cole Tomas Allen, autorit të dyshuar të atentatit në darkën e Shtëpisë së Bardhë me korrespondentët.

Gjykatësi shqiptoi dhe këto dy akuza të tjera: Përdorimi i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm, Transporti i armëve të zjarrit ndërmjet shteteve me qëllim kryerjen e një krimi.

Gjatë seancës dëgjimore, Prokurori i kërkoi gjyqtarit të urdhëronte që Allen të mbetej i paraburgosur sepse ai akuzohet për vepra penale të terrorizmit, shkruan A2.

Ndërkohë që asnjë nga akuzat nuk përmend drejtpërdrejt terrorizmin, por përpjekja për të vrarë presidentin mund të akuzohet si terrorizëm i brendshëm. Sipas ligjit amerikan, kjo gjithashtu mbart dënimin e mundshëm me burgim të përjetshëm.

Një seancë dëgjimore për paraburgimin do të zhvillohet të enjten. Shtëpia e Bardhë thotë se Donald Trump është “i kënaqur” me reagimin e Shërbimit Sekret, por nuk përjshtohen ndryshimet.

Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, tha: “Absolutisht nuk do të thoja që ndryshimet janë të pamundura. Mendoj, përsëri, se varet nga Shtëpia e Bardhë këtu dhe ne e shohim si një përgjegjësi të madhe të garantojmë sigurinë maksimale të presidentit dhe zëvendëspresidentit dhe të gjithë kabinetit. Dhe kështu ne jemi gjithmonë në kërkim të mënyrave për të përmirësuar sigurinë”.

Në një intervistë pas të shtënave, presidenti Trump thotë se “nuk kishte qenë i shqetësuar”. “E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur”, u shpreh ai.

Shërbimi Sekret Amerikan ka marrë në pyetje motrën e autorit të dyshuar dhe sipas mediave amerikane, ajo u tha agjentëve se vëllai i saj kishte një histori deklaratash ekstremiste dhe një zakon për të bërë komente politikisht radikale, duke folur për një dëshirë për të bërë “diçka” për të adresuar ato që ai i shihte si problemet e botës.

Një vëmendje të veçantë ka pasur për nënpresidentin JD Vance për komentet e këtij të fundit lidhur me Ukrainën. Ndërkohë, menjëherë pas atentatit në media dhe në rrjet kanë shpërthyer teori të shumtë konspirative.

Fjala “e inskenuar” u përhap shpejt në internet, duke tërhequr miliona shikime dhe komente. Disa elementë nxitën diskutime, përfshirë buzëqeshjen e shefit të Pentagonit Pete Hegseth menjëherë pas të shtënave, qëndrimin e qetë të disa prej të ftuarve dhe atë që tha zëdhënësja presidenciale Leavitt pak para darkës, si dhe nivelin e sigurisë i cili, sipas një investigimi të Wall Street Journal, “ishte më i ulët se ai që do të gjeje në një stadium apo një festë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos