I nxehti përvëlon Europën, temperatura mbi 45 gradë në Spanjë. Në alarm Italia e Greqia

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2025, 13:23 | Bota

Valë ekstreme të të nxehtit rreth Europës Jugore e kanë çuar termometrin mbi 40 gradë në vende si Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia, teksa autoritetet ngrenë alarmin mbi rrezikun e problemeve shëndetësore dhe zjarreve.

Jugu i Spanjës është rajoni më i prekur me temperaturat që i kaluan 45 gradë në qytete si Sevilla dhe zona të afërta. Një rekord i ri prej 46 gradë celsius për muajin u shënua në qytezën e El Granado të Spanjës gjatë fundjavës, ndërsa ky besohet se do të jetë qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, shkruan A2.

Një grua vdiq në Barcelonë, pasi përfundoi turnin si pastruese rrugësh, kur temperaturat ishin shumë të larta. Alarmi i kuq është në fuqi për pjesë të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa ai portokalli mbulon zona të tëra në Spanjë, Francë, Austri, Belgjikë, Bosnje, Hungari, Serbi, Slloveni dhe Zvicër.

Në Itali, departamentet e emergjencës kanë raportuar rritje të rasteve të goditjeve nga vapa, shumë prej të cilëve të moshuar, pacientë me kancer ose persona të pastrehë. Qyteti i Bolonjës, më në veri ka ngritur zona strehimi me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm, ndërsa Roma po ofron hyrje pa pagesë në pishinat rreth qytetit për personat mbi 70 vjeç.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë vendosi 21 nga 27 qytetet e monitoruara në Itali në nivelin maksimal të alarmit nga i nxehti, përfshirë Romën, Milanon dhe Napolin. 2/3 e Portugalisë ishin në gjendje të lartë alarmi për vapën ekstreme dhe zjarre të mundshme, me temperaturat që i kaluan 42 gradë në Lisbonë.

Greqia po ashtu është mbërthyer nga moti ekstrem, teksa përballet me kërcënimin e zjarreve. Evakuime ka pasur në jug të Athinës, për shkak të një zjarri të madh, ndërsa u angazhuan rreth 130 zjarrfikës, avionë e helikopterë.

I nxehti nuk ka kursyer as Ballkanin Perëndimor, teksa Serbia regjistroi temperaturën më të lartë që kur ka nisur regjistrimin e tyre në shekullin e XIX. Po ashtu, në Maqedoninë e Veriut termometri arriti në 42 gradë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos