Senati Amerikan fillon votimin për 'projektligjin e madh dhe të bukur' të Trump

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 19:13 | Bota

Senati Amerikan fillon votimin për 'projektligjin e madh dhe të

Senati amerikan ka filluar të votojë të hënën për një plan masiv shpenzimesh, të quajtur "projektligji i madh dhe i bukur", pas javësh negociatash të diskutueshme.

Sipas mediave të huaja, republikanët të cilët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit ishin të ndarë në mendime se sa duhet të shkurtohen programet e mirëqenies sociale në mënyrë që të zgjasin lehtësimet tatimore.

Presidenti Donald Trump dëshiron që Kongresi ta miratojë projektligjin deri më 4 korrik, shkruan A2 CNN.

Pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi versionin e saj të projektligjit muajin e kaluar me një votë të vetme, legjislacioni shkoi në Senat. Për shkak të ndryshimeve të bëra nga Senati, projektligji do të kthehet në Dhomë për një votim tjetër.

Senatorët përshkuan me shpejtësi korridoret e ndërtesës së Kapitolit të hënën, duke u drejtuar në Senat për votime të ndryshme për amendamentet, pastaj duke u kthyer në dhomat e tyre private të takimeve ku i shprehën ankesat e tyre jashtë shikimit të gazetarëve.

Mund të ketë deri në 20 orë debat kur senatorët argumentojnë pro ose kundër shtimit të amendamenteve në projektligjin prej gati 1,000 faqesh në një proces të quajtur "voto-a-rama".

"Ne padyshim që ende po përsosim disa gjëra," tha të hënën udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune.

Një ndryshim në propozimin për shkurtimet e Medicaid, i propozuar së fundmi nga senatori i Floridës, Rick Scott, mund të shkaktojë humbjen e mbulimit të sigurimit shëndetësor për rreth 20 milionë amerikanë, sipas një vlerësimi.

Kur u pyet për raportin, Thune tha se ka "shumë analiza atje", raporton A2 CNN.

"Gjëja që nuk bën projektligji (i Scottit) është se nuk hyn në fuqi deri në vitin 2031. Kështu që nuk jam i sigurt se si mund të argumentohet se do t'i përjashtojë njerëzit nga sigurimi shëndetësor nesër", tha Thune.

Demokratët, të cilët e kanë denoncuar vazhdimisht projektligjin, veçanërisht për shkurtimin e mbulimit shëndetësor për miliona amerikanë më të varfër, pritet t'i përdorin të gjitha dhjetë orët e tyre të caktuara për debat, ndërsa republikanët ka të ngjarë të mos e bëjnë këtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos