“SHBA e Izraeli, me ligj xhungle”, Irani: Kthehemi në bisedime nëse përjashtojnë sulme të mëtejshme

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2025, 12:54 | Bota

Shtetet e Bashkuara duhet të përjashtojnë çdo sulm të mëtejshëm ndaj Iranit, nëse duan të rinisin bisedimet diplomatike mes dy vendeve. Është zv/ministri i Jashtëm, në Teheran, Majid Takht-Ravanchi që e thotë diçka të tillë për britaniken BBC.

Sipas tij, administrata Trump ka njoftuar Iranin përmes ndërmjetësuesve, se dëshiron t’i rikthehet negociatave këtë javë, por se nuk e kishte bërë të qartë pozicionin lidhur me atë që e quan pyetjen më të rëndësishme lidhur me sulme të mëtejshme. Zv/ministri i Jashtëm deklaroi se Irani do të këmbëngulte për të vijuar pasurimin e uraniumit deri në një nivel të caktuar, siç thotë për qëllime paqësore, shkruan A2.

Majid Takht-Ravanchi deklaroi: “Niveli i pasurimit mund të diskutohet, kapaciteti mund të diskutohet, por të na thuash që nuk mund të kemi fare pasurim, që të kemi pasurim zero dhe nëse nuk pranoni do ju bombardojmë, atëherë ky është ligji i xhunglës”. 

Përmasat e dëmeve që bombardimet amerikane u kanë shkaktuar programit bërthamor të Iranit janë të paqarta dhe zv/ministri tha se nuk mund të jepte një vlerësim të saktë.

Rafaele Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, ka deklaruar se sulmet kanë shkaktuar dëme të rënda, por jo të plota, ndërsa Donald Trump këmbëngul se infrastruktura bërthamore e Iranit është asgjesuar plotësisht. Grossi tha të dielën se Irani ka kapacitetet për të rinisur pasurimin e uraniumit brenda pak muajve.

Marrëdhëniet e Iranit me Agjencinë Bërthamore po krisen gjithmonë e më shumë, teksa Parlamenti i Republikës Islamike vendosi pak ditë më herët të pezullojë bashkëpunimin me të. Ajo pretendon se agjencia është palë me Izraelin dhe SHBA.

Trump ndërkohë ka kërcënuar të bombardojë sërish Iranin nëse inteligjenca do të zbulojë nivele shqetësuese të pasurimit të uraniumit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos