Një avion ushtarak spanjoll që mbante në bord Ministren e Mbrojtjes Margarita Robles pësoi një defekt në sistemin e GPS-it të mërkurën në mëngjes, teksa fluturonte pranë enklavës së Kaliningradit, të kontrolluar nga Rusia, në detin Balltik.
Avioni me ministren Robles ishte duke fluturuar drejt Lituanisë në momentin kur hasi defektin. Përveç Robles, avioni transportonte të afërm të pilotëve spanjollë që ishin pjesë e misionit të ri të mbrojtjes ajrore të NATO-s në krahun e saj lindor, i nisur më parë gjatë këtij muaji. Kontingjenti spanjoll, i njohur si misioni Vilkas që do të thotë ujk në lituanisht, javën e kaluar interceptoi tetë avionë rusë që operonin mbi Detin Baltik.
Robles do të zhvillonte një takim dypalësh me homologun e saj lituanez Dovile Sakaliene gjatë një vizite në bazën ajrore Siauliai të mërkurën në mëngjes, sipas axhendës së qeverisë spanjolle.
Një komandant në bordin e avionit spanjoll u tha gazetarëve që udhëtonin me Robles se incidente të tilla janë të zakonshme kur fluturojnë pranë Kaliningradit, si për avionë civilë ashtu edhe për ushtarakë, dhe se avioni spanjoll mund të vijonte rrugën duke përdorur satelitë ushtarakë.
Incidenti vjen pas një tjetër incidenti, ku sistemi GPS i një avioni që transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u bllokua ndërsa ishte duke udhëtuar për në Bullgari më 31 gusht. Një zëdhënës i BE-së tha asokohe se autoritetet bullgare dyshonin se incidenti ishte për shkak të ndërhyrjeve nga Rusia.
Estonia dhe Finlanda fqinje e kanë fajësuar më parë Rusinë për bllokimin e pajisjeve të navigimit GPS në hapësirën ajrore të rajonit, por Moska ka mohuar ndërhyrjen në rrjetet e komunikimit dhe satelitëve. (A2 Televizion)