Zgjerimi i Kupës së Botës me 64 ekipe është më shumë sesa thjesht një hipotezë.
Sipas “The Athletic”, një samit u mbajt të martën në selinë e FIFA-s në SHBA, në Trump Tower, në Nju Jork, ku u diskutua skenari pas avancimit të një propozimi zyrtar nga një delegacion i institucioneve të futbollit të Amerikës së Jugut.
Presidenti Gianni Infantino dhe Sekretari i Përgjithshëm Mattias Grafstrom ishin të pranishëm në takim, ndërsa delegacioni vizitor u drejtua nga Alejandro Domínguez, President i CONMEBOL dhe Zëvendëspresident i FIFA-s, i shoqëruar nga presidentët e Paraguait dhe Uruguait, Santiago Peña dhe Yamandú Orsi, si dhe krerët e federatave të futbollit të Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait. Presidenti argjentinas Javier Milei, megjithatë, nuk ishte i pranishëm, pasi po takohej me homologun e tij amerikan Donald Trump.
Ideja nuk është e re, pasi thashethemet kishin dalë tashmë në mars pas një takimi të Këshillit të FIFA-s, ku presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso, e kishte propozuar atë. Megjithatë, kjo është hera e parë që diskutohet konkretisht, pasi Infantino dhe Grafström e kishin hapur publikisht këtë mundësi.
Sipas përfaqësuesve të federatave të Amerikës së Jugut, ky duhet të jetë një ndryshim për vetëm një herë, i projektuar posaçërisht për të festuar 100-vjetorin e “Uruguai 1930”, Kupës së parë Botërore FIFA. Do të ishte një mënyrë për të përfshirë më mirë Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain, të cilët aktualisht janë planifikuar të presin vetëm nga një ndeshje hapëse secila, përpara se turneu të zhvendoset në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Sigurisht, kjo është ende në hapat e para, veçanërisht pasi Presidenti i UEFA, Aleksander Ceferin, kishte shprehur kundërshtimin e tij pranverën e kaluar, duke e quajtur atë "një ide të tmerrshme". Homologu i tij nga Konfederata e Amerikës së Veriut, Victor Montagliani, gjithashtu shprehu kundërshtimin e tij: "Nuk është një ide e shkëlqyer. Ne nuk kemi luajtur ende Kupën e Botës me 48 ekipe". (A2 Televizion)