Turqia po shndërrohet me shpejtësi në një nga fuqitë më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në NATO. Pas më shumë se dy dekadash investimesh shtetërore, Ankaraja ka kaluar nga një vend i varur nga importet e armëve në një eksportues të madh të dronëve, municioneve dhe sistemeve të avancuara ushtarake.
Eksportet turke të mbrojtjes kanë kaluar në rreth 10 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar, më shumë se trefishi i nivelit të vitit 2021. Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga shitjet në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa kompanitë turke po kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin me aleatët perëndimorë.
Yasar Guler, ministër i Mbrojtjes i Turqisë thotë: “Falë vizionit, vendosmërisë dhe investimeve strategjike në industrinë e mbrojtjes, sot kemi arritur një nivel të admirueshëm. Shumë sisteme kritike, për të cilat dikur vareshim nga jashtë, tani zhvillohen dhe përdoren nga inxhinierët tanë me burime kombëtare.”
Në ekspozitat e fundit të mbrojtjes, Turqia ka prezantuar projekte ambicioze, nga dronët e rinj të kompanisë Baykar deri te raketa balistike ndërkontinentale Yildirimhan. Në zhvillim është edhe avioni luftarak i gjeneratës së pestë KAAN, ndërsa industria turke po prodhon gjithashtu sisteme të mbrojtjes ajrore, fregata dhe mjete të blinduara.Analistët vlerësojnë se rritja e shpenzimeve ushtarake në Evropë pas luftës në Ukrainë krijon një mundësi të re për kompanitë turke.
Ada Mevlutoglu, analist i mbrojtjes shprehet: “Evropa ka nevojë për zgjidhje që mund të zbatohen shpejt. Turqia ka kapacitete serioze prodhimi dhe zhvillimi. Kushtet janë të favorshme, por për bashkëpunim më të thellë nevojitet vullnet politik në nivel të lartë.”
Megjithatë, rruga drejt tregut evropian mbetet e ndërlikuar. Turqia përballet me pengesa politike dhe me përjashtimin nga disa programe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian. Pavarësisht kësaj, Ankaraja synon të dyfishojë eksportet ushtarake brenda dy viteve të ardhshme dhe të forcojë pozicionin e saj si një partner kyç i NATO-s në industrinë e mbrojtjes. (A2 Televizion)