Inspektorët e OKB-së hyjnë në Iran? SHBA-ja dhe Teherani me deklarata kontradiktore për Hormuzin dhe programin bërthamor

Nga Rosalba Bejdo
24 Qershor 2026, 12:02 | Bota

Inspektorët ndërkombëtarë do të lejohen të vizitojnë zonat bërthamore të Iranit, në një zhvillim të rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes së përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit.

Kështu la të kuptohet Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), në deklaratën më të prerë deri tani nga kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara, e cila konsiderohet institucioni kyç për përcaktimin e gjendjes dhe vendndodhjes së rezervave bërthamore të Iranit.

“Marrëveshja përcakton qartë se aktivitetet bërthamore që do të kryhen në lidhje me materialet dhe objektet bërthamore do të mbikëqyren nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore. Natyrisht, për ta bërë këtë, ne duhet të kryejmë inspektime. Nëse kjo ndodh pasnesër, pas një jave apo pas dhjetë ditësh, është e rëndësishme, por jo thelbësore. Kjo do të ndodhë”, tha Rafael Grossi, përcjell A2 CNN.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë bërë deklarata kontradiktore lidhur me faktin nëse këto inspektime jetike do të zhvillohen apo jo.

Presidenti amerikan Donald Trump pohoi të martën se Teherani ishte dakordësuar për inspektime bërthamore pa afat, sipas tij, por Teherani e përgënjeshtron këtë, duke theksuar se nuk ka bërë lëshime të tilla në negociata. Këto deklarata kanë ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e marrëveshjes së brishtë.

“Ata na thanë se inspektorët mund të hyjnë brenda dhe se ne kemi kontroll të plotë, 100%, përmes inspektimeve. Dhe nëse do të kishin refuzuar, unë do t’i kisha anuluar menjëherë bisedimet me ta”, tha Donald Trump.

“Ne nuk kemi zhvilluar asnjë takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe as nuk kemi ndonjë plan për një inspektim nga agjencia në objektet bërthamore të Iranit që u dëmtuan si rezultat i sulmit ushtarak nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist”, tha Esmaeil Baghaei, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Dy palët, të cilat zhvilluan një raund të parë bisedimesh në Zvicër të hënën, dhanë gjithashtu versione kontradiktore lidhur me lehtësimet financiare për Iranin, kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe luftën paralele të Izraelit në Liban.

Marrëveshja kërkon që Irani të lejojë lundrimin e sigurt dhe pa tarifa për 60 ditë në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, në një deklaratë të përbashkët, Irani dhe Omani, i cili kontrollon pjesën tjetër të ngushticës, theksuan se do të punojnë së bashku për të menaxhuar këtë itinerar kyç, me kosto të caktuara.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një vizite në rajon, deklaroi se Irani nuk do të lejohet të vendosë tarifa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos