
Operativë nga Ministria e Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit kanë sinjalizuar gatishmëri ndaj CIA-s për bisedime mbi përfundimin e luftës. “The New York Times” raporton se oferta u bë përmes agjencisë së inteligjencës së një vendi të paidentifikuar, duke cituar zyrtarë nga Lindja e Mesme dhe nga një shtet perëndimor që folën në kushte anonimiteti.
Shtëpia e Bardhë dhe CIA nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Zyrtarët në Uashington janë të pasigurt nëse Irani apo administrata e Donald Trump-it janë vërtet të gatshëm për një rrugëzgjidhje, qoftë edhe afatshkurtër, transmeton A2.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë të martën përjashtoi, për momentin, çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara, disa ditë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër vendit të tij.
Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se Teherani dëshironte të bisedonte, por ishte tepër vonë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdonin operacionin e tyre ushtarak kundër Iranit. (A2 Televizion)