
Mbështetja për Ukrainën po shteron burimet e trupave amerikane të dislokuara në Evropë dhe po dëmton gatishmërinë e tyre luftarake. Ky është përfundimi i një raporti të ri të Inspektorit të Përgjithshëm të Pentagonit.
Në raportin e paraqitur në Kongres në muajin nëntor, institucioni mbikëqyrës thekson se Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën është detyruar të përdorë burimet e destinuara për forcat amerikane dhe operacionet e saj të zakonshme për të mbështetur Ukrainën. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së fondeve të posaçme për Ukrainën gjatë viteve fiskale 2025 dhe 2026.
“Boshllëqet në burime kanë ndikuar negativisht në gatishmërinë e përgjithshme të USAREUR-AF, efektivitetin e stërvitjeve dhe kapacitetin për të zhvilluar operacionet e planifikuara”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, operacionet në mbështetje të Ukrainës kanë konsumuar fonde që ishin parashikuar për dislokimet e zakonshme të trupave dhe blerjen e pjesëve të nevojshme për mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake amerikane.
Për më tepër, disa njësi ushtarake amerikane, pas përfundimit të misioneve me rotacion, janë kthyer në bazat e tyre pa shlyer faturat për pjesët rezervë të përdorura.
Një raport i mëparshëm, që mbulonte periudhën janar-mars, zbulonte se komanda kishte zhvendosur gjithsej 364.6 milionë dollarë nga fonde të destinuara për nevoja të tjera, për t'i përdorur në mbështetje të Ukrainës.
Mungesa e financimit erdhi si pasojë e mosmiratimit nga Kongresi të paketave të mëdha të ndihmës emergjente për Ukrainën gjatë viteve 2025 dhe 2026. Shumë prej drejtuesve republikanë kundërshtuan ashpër politikën e financimit pa kufij të përcaktuar për Kievin.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump, që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ka kundërshtuar paketat e tjera të mëdha të ndihmës financiare amerikane për Ukrainën. Në vend të kësaj, ai ka kërkuar që barrën financiare të mbështetjes për Kievin ta marrin përsipër vendet evropiane që e mbështesin atë. (A2 Televizion)