Pas fitores së rëndësishme 2-0 ndaj Finlandës, Kombëtarja shqiptare është vetëm 90 minuta larg objektivit të madh: ngjitjes direkte në Ligën B të Nations League. Kuqezinjtë zbresin sot në fushë në Budapest, aty ku përballë do të kenë Bjellorusinë, në sfidën e fundit të Grupit C1.
Është një finale e vërtetë për vendin e parë, me Shqipërinë që e ka fatin në duart e saj. Pas pesë ndeshjesh, skuadra e Rolando Maran kryeson grupin me 12 pikë, dy më shumë se Bjellorusia, që renditet në vendin e dytë me 10 pikë. Finlanda është e treta me 7, ndërsa San Marino e mbyll renditjen pa pikë.
Llogaritë janë të qarta: Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për të ruajtur kreun dhe për të siguruar ngjitjen direkte në Ligën B. Fitorja do të vuloste gjithçka me autoritet, ndërsa humbja do t'ia kalonte vendin e parë Bjellorusisë, duke i lënë kuqezinjtë në vendin e dytë dhe në pritje të fazës play-off për ngjitjen.
Një avantazh i rëndësishëm për Shqipërinë është edhe përballja e parë, e fituar 2-0 në Tiranë. Por sot nuk ka vend për llogari të gabuara apo nënvlerësim të kundërshtarit.
Në Budapest, në orën 18:00, kuqezinjtë kanë një mision: të konfirmojnë reagimin e treguar ndaj Finlandës dhe ta mbyllin këtë edicion me vendin e parë në grupin C1. (A2 Televizion)