Ushtria iraniane u përgatit të minonte ngushticën e Hormuzit, ku qarkullon rreth 1/5 e naftës dhe gazit global, në muajin qershor, në kundërpërgjigje të sulmeve të Izraelit rreth Iranit.
Janë dy zyrtarë amerikanë që e thonë diçka të tillë për agjencinë e lajmeve Reuters. Sipas tyre, ushtria kishte ngarkuar mina detare në mjete lundruese në Gjirin Persik, duke shtuar kështu shqetësimet e Uashingtonit se Teherani po bëhej gati të jetësonte në Hormuz, raprezaljen e vet ndaj sulmeve.
Përgatitjet, të cilat nuk ishin raportuar më herët, u evidentuan nga inteligjenca amerikane, dhe kishin nisur pasi Izraeli lëshoi raketat e para kundër Republikës Islamike më 13 qershor.
Ngarkimi i minave, të cilat nuk aritën të dërgoheshin pranë ngushticës, sugjeron se Teherani mund të ketë pasur qëllime serioze për mbylljen e një prej itinerareve më të rëndësishme tregtare, një lëvizje që do të kishte përshkallëzuar ndjeshëm konfliktin, do të kishte çuar në kaos tregtinë globale, e do të kishte rritur në mënyrë të konsiderueshme çmimet e energjisë.
Përgjatë viteve, Irani ka kërcënuar vazhdimisht mbylljen e ngushticës, por asnjëherë nuk e ka bërë realitet diçka të tillë. Zyrtarët amerikan nuk përjashtojnë mundësinë se minat mund të kenë qenë një dredhi për të bindur Uashingtonin se iranianët ishin të përgatitur të vepronin në Hormuz, por pa qëllimin për ta bërë vërtet këtë.
Zbulimi vjen teksa Presidenti iranian Masoud Pezeshkian vuri në zbatim të mërkurën ligjin e miratuar në Parlament javën e kaluar për të pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore. Irani paralajmëroi më herët ndërprerjen e bashkëpunimit me agjencinë, të cilën e akuzon se është bërë palë me vendet perëndimore dhe se i kishte dhënë një justifikim Izraelit për të bombarduar pas konstatimit se Irani kishte shkelur angazhimet e traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Sipas ligjit, çdo inspektim në zonat bërthamore të Iranit në të ardhmen duhet të marrë miratimin e Këshillit të Lartë Kombëtar të Sigurisë. (A2 Televizion)