Irani në pragun bërthamor? Trump paralajmëron, ekspertët hedhin dyshime mbi provat

Nga Erjon Dervishi
27 Shkurt 2026, 22:23 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump paraqiti shkurtimisht argumentet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit gjatë fjalimit të tij përpara Kongresit, duke deklaruar se nuk do të lejojë që ai që e quajti “sponsori më i madh i terrorizmit në botë” të sigurojë armë bërthamore.

Trump e cilësoi mbështetjen e Teheranit për grupet militante, vrasjen e protestuesve antiqeveritarë në janar, si dhe programet raketore dhe bërthamore të vendit si kërcënime për rajonin dhe për Shtetet e Bashkuara.

Sipas Trump, Irani ka zhvilluar raketa që mund të kërcënojnë Evropën dhe bazat amerikane jashtë vendit, dhe po “punon për të ndërtuar raketa që shumë shpejt do të arrijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ai tha se sulmet ajrore amerikane të urdhëruara prej tij në qershorin e kaluar, të njohura si Operacioni “Midnight Hammer”, kishin “asgjësuar” programin bërthamor të Iranit, por se Teherani po “e nis gjithçka nga e para” dhe “në këtë moment po ndjek sërish ambiciet e tij të rrezikshme”, shkruan A2 CNN.

Ai nuk dha detaje konkrete për të mbështetur këto pretendime. “Dhe vetëm gjatë dy muajve të fundit, me protestat, ata kanë vrarë të paktën – kështu duket – 32 mijë protestues në vendin e tyre. I kanë qëlluar dhe i kanë varur. Ne i ndaluam që të varnin shumë prej tyre, me kërcënimin e dhunës serioze. Por këta janë njerëz të tmerrshëm. Ata tashmë kanë zhvilluar raketa që mund të kërcënojnë Evropën dhe bazat tona jashtë vendit, dhe po punojnë për të ndërtuar raketa që shumë shpejt do të arrijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas operacionit ‘Midnight Hammer’, misionit amerikan për të dobësuar programin bërthamor të Iranit, ata u paralajmëruan të mos bënin asnjë përpjekje për të rindërtuar programin e tyre të armëve, veçanërisht armët bërthamore. Megjithatë, ata vazhdojnë. Po e nisin gjithçka nga e para. Ne e shkatërruam, por ata duan ta nisin sërish dhe në këtë moment po ndjekin përsëri ambiciet e tyre të errëta. Jemi në negociata me ta. Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk kemi dëgjuar ato fjalë sekrete: ‘Nuk do të kemi kurrë një armë bërthamore”, tha Trump.

Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së ka deklaruar se Irani zotëron pajisje lëshimi hapësinore nga të cilat mund të zhvillojë një raketë balistike ndërkontinentale të përdorshme ushtarakisht deri në vitin 2035. Mediat shtetërore iraniane kanë pretenduar se Teherani po zhvillon një raketë të aftë të arrijë Shtetet e Bashkuara, shkruan A2 CNN.

Eksperti i raketave Jeffrey Lewis, nga Instituti Middlebury për Studime Ndërkombëtare në Kaliforni, është shprehur se vlerësimi i DIA-s duket “shumë konservator”, duke qenë se Irani, që nga viti 2013, ka bashkëzhvilluar një motor me Korenë e Veriut, të cilin Pheniani e ka përdorur në disa versione të raketave të tij balistike ndërkontinentale, të afta për të arritur SHBA-në.

Ndërkohë, studiuesja e lartë në Programin e Sigurisë Ndërkombëtare në Chatham House, Marion Messmer, thotë:

“Irani ka një program bërthamor prej disa dekadash tashmë. Dhe mendoj se është e rëndësishme të theksohet se qeveria iraniane ka këmbëngulur gjithmonë se ai është vetëm për qëllime paqësore. Irani ka disa centrale bërthamore, një që është aktualisht funksional, dhe plane për të ndërtuar të tjera në disa zona. Po ashtu, Irani zhvillon edhe aktivitete të tjera kërkimore bërthamore për qëllime paqësore, të lidhura me bujqësinë, mjekësinë e kështu me radhë”, tha Marion Messmer.

“Ne gjithashtu e dimë që Irani ka pasuruar uranium në një nivel shumë më të lartë sesa është i nevojshëm për qëllimet paqësore që pretendon qeveria iraniane. Për këtë arsye, prej kohësh ekziston shqetësim në komunitetin ndërkombëtar se Irani mund të jetë duke ndjekur armë bërthamore.”

Por çfarë dihet për statusin e programit bërthamor të Iranit?

Të tre impiantet ku dihet se Irani ka prodhuar uranium të pasuruar – i cili mund të përdoret si karburant për centrale energjetike apo për bomba bërthamore, në varësi të nivelit të pastërtisë – u goditën nga sulmet amerikane në qershor.

Ndërsa Trump ka deklaruar vazhdimisht se objektet bërthamore iraniane u “asgjësuan”, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, tha se Irani mund të rifillojë pasurimin e uraniumit në një shkallë më të kufizuar brenda pak muajsh.

International Atomic Energy Agency ka bërë të ditur se ka inspektuar 13 objektet e deklaruara bërthamore në Iran që nuk janë bombarduar, por nuk ka mundur të inspektojë tre vendet kyçe të goditura në qershor: Natanz, Fordow dhe Isfahan.

 “Uraniumi që përdoret për armë bërthamore zakonisht pasurohet në rreth 90%. Në thelb, nuk do të shkoje kurrë në atë nivel nëse do ta përdorje për qëllime paqësore. Stoku që Irani ka pasuruar në 60% mund të përdoret për karburant bërthamor, por gjithashtu është relativisht e shpejtë që ai të pasurohet më tej në 90%, niveli i nevojshëm për një kapacitet armësh bërthamore.”

“Ajo që dimë është se para sulmit të Izraelit, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike kishte deklaruar se Irani kishte gjasa të kishte pasuruar material të mjaftueshëm për deri në nëntë armë bërthamore. Por nuk kemi prova për aktivitete të tjera që do t’i mundësonin Iranit ndërtimin e një koke bërthamore. Irani, natyrisht, ka një industri shumë të sofistikuar raketore dhe një nga arsenalet më të mëdha të raketave në Lindjen e Mesme. Por për një program armësh bërthamore kërkohet më shumë sesa thjesht uranium i pasuruar dhe raketa. Dhe nuk kemi prova të forta që Irani po përpiqej të ndërtonte një kokë bërthamore apo të zhvillonte aktivitete të tjera para sulmit të Izraelit.”

Sa afër prodhimit të një bombe bërthamore është Irani?

Një nga arsyet që SHBA-ja dhe Izraeli dhanë për bombardimet e qershorit ishte se Irani po afrohej shumë me aftësinë për të prodhuar një armë bërthamore.

Si Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, ashtu edhe komuniteti amerikan i inteligjencës kanë vlerësuar se Irani e ka mbyllur programin për zhvillimin e armëve bërthamore në vitin 2003.

Teherani mohon të ketë kërkuar ndonjëherë armë bërthamore, por si palë e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, thotë se ka të drejtë të pasurojë uranium për qëllime civile. Fuqitë perëndimore argumentojnë se nuk ka asnjë justifikim të besueshëm civil për nivelin e pasurimit të uraniumit që ka arritur Irani, ndërsa IAEA ka shprehur shqetësim serioz. Asnjë vend tjetër nuk ka ndjekur këtë rrugë pa prodhuar përfundimisht armë bërthamore.

Në vlerësimin vjetor të kërcënimeve globale për vitin 2025, komuniteti amerikan i inteligjencës ka deklaruar se vazhdon të besojë që Irani “nuk po ndërton një armë bërthamore dhe se Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei nuk e ka riautorizuar programin e armëve bërthamore të pezulluar në vitin 2003, ndonëse mbi të mund të jetë rritur presioni për ta bërë këtë”.

Trump më vonë kundërshtoi vlerësimin e Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, duke deklaruar se ajo dhe komuniteti i inteligjencës amerikane gabojnë dhe se Irani është “shumë afër” zotërimit të një arme bërthamore. Ai nuk paraqiti prova për të mbështetur këtë pretendim.

 “Sa shpejt mund ta ndjekë Irani tani një armë bërthamore varet disi nga dëmi që është shkaktuar dhe sa nga uraniumi i tij tashmë i pasuruar në nivele të larta mund të rikuperojë. Por kjo është shumë e vështirë të thuhet pa ditur më shumë për përmasat e dëmit. Kam parë disa ekspertë që vlerësojnë se, bazuar në dëmet që dimë se janë shkaktuar, aftësia e Iranit për të prodhuar shpejt material për një armë bërthamore është shtyrë me disa vite.”

Në fjalimin e tij, Trump përsëriti akuzën se Irani ka vrarë të paktën 32 mijë protestues gjatë muajve të fundit, shifër që nuk mund të verifikohej menjëherë.

Grupi me bazë në SHBA, HRANA, që monitoron situatën e të drejtave të njeriut në Iran, raportoi se ka regjistruar 7,007 vdekje të verifikuara dhe ka 11,744 raste në shqyrtim.

Disa orë pasi Trump përmendi për herë të parë shifrën 32 mijë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Teherani ka publikuar një “listë gjithëpërfshirëse” me 3,117 persona të vrarë gjatë trazirave.

Një zyrtar iranian i tha Reuters muajin e kaluar se autoritetet kanë verifikuar të paktën 5,000 viktima, përfshirë rreth 500 pjesëtarë të forcave të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos