
Pavarësisht armëpushimit që mbetet në fuqi, Irani nuk e konsideron konfliktin të përfunduar. Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi për televizionin shtetëror se situata vijon të trajtohet si gjendje lufte.
“Situata ende konsiderohet si kohë lufte dhe baza e të dhënave e objektivave dhe pajisjeve të forcave është përditësuar”, u shpreh ai, duke sinjalizuar gatishmëri të vazhdueshme ushtarake.
Deklarata erdhi menjëherë pas një reagimi publik të presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale, në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta, shkruan A2 CNN.
Zëdhënësi iranian dha gjithashtu detaje mbi organizimin e kontrollit në Ngushticën e Hormuzit, një pikë strategjike për tregtinë globale të naftës. Sipas tij, pjesa perëndimore e ngushticës kontrollohet nga Garda Revolucionare Islamike, ndërsa pjesa lindore menaxhohet nga ushtria e rregullt e Iranit.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se brenda strukturave drejtuese iraniane ka përçarje dhe paqartësi mbi zinxhirin e komandës, duke vënë në dyshim se kush e ka kontrollin real.
Këto zhvillime tregojnë se, edhe pse formalisht në armëpushim, situata në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë dhe me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm. (A2 Televizion)