Qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Teheranit të mërkurën për të marrë pjesë në kortezhin funeral dhe për t'i dhënë lamtumirën Presidentit iranian Ebrahim Raisi dhe Ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, të dy të vrarë në një përplasje helikopteri disa ditë më parë.
Turmat e vajtuesve mund të shihen të veshur me të zeza teksa marshojnë nëpër kryeqytetin iranian duke mbajtur flamuj iranianë dhe duke mbajtur në duar fotografi të presidentit të ndjerë Raisi, Amir-Abdollahian dhe zyrtarëve të tjerë që u vranë në rrëzimin e helikopterit të dielën.
Të martën, trupat e viktimave u transferuan në qytetin e shenjtë shiit të Qom, ku trajnohen shumë nga klerikët që përbëjnë elitën teokratike të Iranit.
Më vonë, gjatë mbrëmjes së të martës, trupat u kthyen në kryeqytet për t’u vendosur në sallën e lutjeve. Një kamion u pa të lëvizte mes turmave me altoparlantë që luanin vargje nga Kurani nëpër Teheran.
Të pranishmit thanë për CNN se ishin shumë të tronditur dhe të pikëlluar me lajmin e vdekjes së Raisit dhe u panë duke valëvitur flamuj me një sfond të zi në të cilët shkruhej “Raisi ishte martir i Zotit”. (A2 Televizion)