Ish-presidentit gjeorgjian i zgjatet dënimi

Nga A2 CNN
18 Mars 2025, 07:28 | Bota

Ish-presidentit gjeorgjian i zgjatet dënimi

Një gjykatë në Tbilisi ka shpallur fajtor ish-presidentin e Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe e dënoi atë me katër vjet e gjysmë burgim. Pas këtij vendimi, Saakashvili ka një dënim total prej 12 vjet e gjysmë burgim, që do ta mbajë pas hekurave deri më 1 prill 2034.

Saakashvili, i cili është në burg që nga viti 2021, e dënoi ashpër këtë vendim duke thënë se ai ka për qëllim ta shkatërrojë fizikisht dhe ta eliminojë si një kërcënim për kundërshtarët politikë, duke theksuar se liria dhe idetë që ai mbështet nuk mund të shkatërrohen as nëse ai vdes.

“Ky vendim është një tentativë për të më shkatërruar në burg. Ata po tentojnë të eliminojnë shpirtin tim dhe idenë e lirisë për Gjeorgjinë,” tha Saakashvili. Ai u shpreh se, pavarësisht gjithçkaje, ai dhe mbështetësit e tij do të vazhdojnë të luftojnë për liri dhe do të triumfojnë.

Saakashvili, i cili kishte qëndruar në mërgim për disa vite, u kthye fshehurazi në Gjeorgji më 29 shtator 2021. Pasi dy ditë më vonë u arrestua, ai u akuzua për kalim të paligjshëm të kufirit, një akuzë që është një prej shumë procedurave gjyqësore kundër tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos