
Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar në Kanalin e La Manshit pasi varka me të cilën po përpiqeshin të kalonin drejt Mbretërisë së Bashkuar u përfshi nga flakët.
Sipas autoriteteve franceze, motori i varkës mori flakë gjatë udhëtimit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në bord. Prefektura Detare e Kanalit dhe Detit të Veriut bëri të ditur se 157 persona janë shpëtuar dhe po transportohen drejt portit të Boulogne-sur-Mer.
Autoritetet konfirmuan se nuk ka raportime për persona të plagosur apo viktima. Në operacionin e shpëtimit morën pjesë mjete franceze dhe britanike, përfshirë anije të Forcës Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar dhe varkën e shpëtimit të RNLI Eastbourne.
Sipas të dhënave, 103 emigrantë u shpëtuan nga dy anije franceze, ndërsa 54 të tjerë nga mjetet britanike të shpëtimit.
Autoritetet franceze thanë se varka ishte nisur nga Franca të hënën në mbrëmje. Gjatë natës, disa persona në bord kërkuan ndihmë, ndërsa pjesa tjetër refuzoi ndërhyrjen, me synimin për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar.
Prefektura detare deklaroi se për shkak të gjendjes së dobët të mjetit lundrues, situata u përkeqësua shpejt pasi motori mori flakë, duke bërë të domosdoshëm operacionin e shpëtimit.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë në qendër të debatit politik çështjen e emigracionit të paligjshëm përmes Kanalit të La Manshit. Qeveria britanike ka deklaruar se po punon për uljen e numrit të kalimeve me varka të vogla, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një marrëveshje bashkëpunimi për të parandaluar këto udhëtime të rrezikshme. (A2 Televizion)