Kryeministri i Britanisë së Madhe, Andy Burnham deklaroi se vala e gjerë e transferimit të kompetencave (devolucionit), të cilën e prezantoi këtë javë, do të "forcojë argumentet" në favor të një kushtetute të shkruar. Kujtojmë se Anglia është i vetmi vend në botë i cili nuk ka një kushtetutë të shkruar.
Duke folur pas publikimit të një sërë politikash për decentralizimin në Angli, Burnham tha se axhenda e tij synonte, në fund të fundit, arritjen e një "rregullimi të ri kushtetues". Këto politika përfshijnë kompetencat mbi taksat vendore dhe një kontroll më të madh mbi transportin, shëndetësinë, policinë, inovacionin, kualifikimin e fuqisë punëtore, kulturën dhe energjinë.
"Kjo do të forcojë argumentet... për një kushtetutë të shkruar," tha Burnham. "Ka arsye të forta për të vendosur një grup të ri dhe të qartë parimesh mbi mënyrën se si duhet të qeveriset ky vend."
Plani i Burnham-it për transferimin e kompetencave, i titulluar "Modeli i Ri i Qeverisjes", u publikua të premten, në përfundim të një periudhe dyjavore të mbushur me njoftime të shumta për politika të reja, shkruan A2 CNN. Ky plan shkon shumë më tej se propozimet e mëparshme sa u përket kompetencave që u jepen kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të tjerë vendorë në Angli, duke premtuar kalimin e kontrollit mbi një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve publike nga qeveria qendrore (Whitehall) dhe organet e pavarura publike te pushteti vendor.
Sipas dokumentit, drejtuesit vendorë do të kenë "më shumë fuqi për të formësuar zonat e tyre përmes kontrollit mbi transportin vendor, strehimin, inovacionin, energjinë vendore dhe investimet kulturore". Ata do të përfitojnë një pjesë të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale duke filluar nga viti 2028 dhe do të kenë më shumë kompetenca mbikëqyrëse mbi shërbimet publike, si policia dhe shëndetësia.
Burnham ka qenë veçanërisht skeptik ndaj organeve qeveritare të pavarura. Në muajt e fundit ai ka kritikuar shtetin "të papërgjegjshëm" dhe ka sulmuar Agjencinë e Mjedisit.
Në të ardhmen, shuma "të konsiderueshme" të financimit të inovacionit në fazat e vona dhe shpenzimeve kulturore do të decentralizohen, thuhet në dokument. Ai gjithashtu tha se kufijtë e "shërbimeve kryesore publike" do të jenë të përafruar me bashkitë, me zëvendëskryetarë bashkie të emëruar për t'i mbikëqyrur ato. (A2 Televizion)