
Sulmet me dronë ukrainas kanë goditur disa objekte në territorin rus gjatë natës, përfshirë edhe depo të kompanisë më të madhe të shitjeve online në Rusi, Wildberries.
Sipas autoriteteve ruse, një nga objektet e goditura ndodhet në rajonin e Moskës, ku të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur. Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një depo në zonën industriale të Çehovit u përfshi nga flakët, ndërsa u dëmtuan edhe një nënstacion elektrik dhe një ndërtesë administrative.
Ndërkohë, zyrtarët rusë konfirmuan se dy depo të tjera të lidhura me Wildberries u goditën në rajonet e Shën Petersburgut dhe Tverit. Kompania, e njohur shpesh si “Amazoni rus”, konfirmoi dëmtimin e një prej objekteve të saj në rajonin e Shën Petersburgut, shkruan A2CNN.
Kievi pretendon se këto depo përdoren për furnizimin e ushtrisë ruse, një pretendim që Moska e ka mohuar.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se gjatë natës kishte kapur dhe shkatërruar 320 dronë ukrainas.
Ndërkohë, sulmet ruse në territorin e Ukrainës kanë shkaktuar viktima. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën katër persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në sulmet e fundit në qytete të ndryshme të vendit.
(A2 Televizion)