Ditë tmerri në Gaza! IDF vret terroristin e shumëkërkuar

Nga Erjon Dervishi
3 Gusht 2026, 22:52 | Bota

Banorët e Gazës kanë përjetuar një ditë tmerri si pasojë e sulmeve izraelite. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se "IDF goditi zonën Deir al-Balah gjatë fundjavës, duke eliminuar terroristin Mahmoud Fatair, komandant i Xhihadit Islamik në Rripin qendror të Gazës. Fatair u infiltrua në territorin izraelit më 7 tetor 2023 dhe mori pjesë në rrëmbimin e Rom Braslavski". Këtë fakt e ka bërë me dije zëdhënësi i IDF në një deklaratë. Braslavski u rrëmbye nga Festivali Nova dhe u lirua në raundin e fundit të shkëmbimeve të pengjeve izraelite me palestinezë në tetor 2025.

Mes përpjekjeve të SHBA-së dhe Bordit të Paqes për ta bindur Izraelin që të ndalojë sulmet në Gaza, një zyrtar izraelit deklaroi se Izraeli "do të vazhdojë të parandalojë çdo kërcënim ndaj civilëve dhe ushtarëve tanë".

Zyrtari gjithashtu përsëriti se Izraeli nuk do t'i tërheqë trupat nga "vija aktuale" — duke iu referuar territorit shtesë që ka marrë nën kontroll që kur hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit e muajit tetor. Izraeli kishte vazhduar të zgjeronte kontrollin e tij mbi Gazën, duke e grumbulluar popullsinë e saj në një sipërfaqe toke gjithnjë e më të vogël.

 Këto deklarata pasuan sulmet izraelite që shkaktuan vdekjen e 28 personave në Gaza, që kur Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje për çarmatimin e Hamasit.

Hamasi ka deklaruar se do ta zbatojë marrëveshjen vetëm nëse Izraeli ndalon sulmet në Gaza dhe i tërheq trupat në "vijën e verdhë", siç përcaktohet në marrëveshjen e armëpushimit të tetorit.

Deklaratat vijnë gjithashtu në kohën kur Nickolay Mladenov, përfaqësuesi i lartë i Bordit të Paqes, mbërrin në Izrael të hënën për të diskutuar mbi zbatimin e marrëveshjes për çarmatimin e Hamasit.

Presidenti izraelit Isaac Herzog beson se ka "shumë elementë pozitivë në përpjekjet e Bordit të Paqes" në Gaza, por "Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht".

"Unë besoj se plani 20-pikësh (i promovuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump) është një hap shumë pozitiv, me paralajmërimin e qartë se Hamasi duhet të çarmatoset dhe shpresoj që Hamasi të çarmatoset plotësisht", tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos