
SPAK ka regjistruar procedimin penal të përcjellë nga Prokuroria e Durrësit ndaj ish-drejtueses së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, të akuzuar si të përfshirë ne vjedhjen e 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pensione dhe ndihmë sociale në Shijak e Krujë.
Burime pranë SPAK bënë me dije se përveç veprës penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën" është shtuar edhe ajo e "grupit të strukturuar kriminal".
Prokurorët e Durrësit shpallën moskompetencë të hetimit të Matajt dhe dy ish-vartëseve të saj, Valbona Duni dhe Paola Dana, pas dyshimeve se vepra penale mund të ishte kryer në formë të veçantë bashkëpunimi.
Po sipas burimeve, zgjerimi i hetimit, mund të kërkojë edhe verifikimin të veprimeve të paraardhëses së Matajt, ish-drejtoreshës Etleva Budini, aktualisht deputete e PS në Kuvendin e Republikës.
Nga ana tjetër, avokatët e Elisabeta Matajt pretendojnë se nuk ju është njoftuar zyrtarisht vendimin i shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Durrësit. Të kontaktuar nga A2, avokatë pohuan se janë vënë në dijeni vetëm nga media. Ditën e nesërme në Gjykatën e Durrësit është planifikuar një seancë për informacion 2-mujor, seanca ku avokatët do të kërkojnë të pajisen me vendimin e moskompetencës dhe arsyetimin e tij.
Elisabeta Mataj u arrestua në muajin korrik dhe u la në qeli. Tre muaj më vonë masa ndaj saj u zbut në "arrest shtëpie".
Në të njëjtën masë po hetohen edhe ish-shefja e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës, Duni dhe ish arkëtarja, Dani. (A2 Televizion)