Izraeli: Deklarata e OKB-së për shtet palestinez është e turpshme, inkurajon Hamasin

Nga A2 CNN
12 Shtator 2025, 20:22 | Bota

Izraeli: Deklarata e OKB-së për shtet palestinez është e

Izraeli hodhi poshtë sot “Deklaratën e Nju Jorkut” për një shtet palestinez, e miratuar me shumicë dërrmuese nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur atë një rezolutë “të turpshme” që inkurajon Hamasin të vazhdojë luftën.

“Edhe një herë, është vërtetuar se sa shumë Asambleja e Përgjithshme është një cirk politik i shkëputur nga realiteti: në dhjetëra klauzola të deklaratës së miratuar nga kjo rezolutë, nuk ka asnjë përmendje që Hamasi është një organizatë terroriste”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, në një postim në rrjetin social ‘X’.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot me shumicë dërrmuese një deklaratë që përshkruan “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve, përpara një takimi të udhëheqësve nga e gjithë bota.

Deklarata shtatëfaqëshe është rezultat i një konference ndërkombëtare të mbajtur në OKB në korrik — të organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca mbi konfliktin e gjatë. SHBA-të dhe Izraeli ishin kunder.

Zëvendëspresidenti palestinez foli për një “hap të rëndësishëm drejt përfundimit të pushtimit”, ndërsa ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, iu përgjigj duke i bërë thirrje Izraelit të “dëgjojë zërin e arsyes” dhe “mesazhin që jehoi në mënyrë të papërmbajtshme në këtë Asamble”.

Qëllimi i deklaratës së Nju Jorkut është t’i japë jetë të re zgjidhjes me dy shtete, izraelite dhe palestineze, duke përjashtuar padyshim Hamasin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos